“SPAK të hetojë mitingun e Ramës”, Berisha: Takimi në shesh me punonjësit e bashkisë, shkelje e hapur e ligjit

Kryetari i PD Sali Berisha nuk e ka fshehur skepticizmin ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe planit të masave që SPAK-u ka shpallur kundër krimeve elektorale.
Gjatë konferencës me gazetarët, Berisha vuri në dukje se nëse hetimi i krimeve zgjedhore do të ishte serioz prokurorët duhet të ishin vënë në lëvizje pasditen e së enjtes për takimin e kryeministrit Edi Rama me punonjësit e bashkisë së Tiranës.
“Unë nuk mund të besoj në shpallje të një organi që fle mbi dosje të tmerrshme të krimit elektoral, evidente, zyrtare, të mbledhura në përputhje me procedurën ligjore provat dhe faktet. Por, po qe se Spak pretendon se do ta dënojë, ja ku e ka Edi Ramën, mitingu i mbrëmshëm ishte shkelja më e rëndë e ligjit elektoral që ka ndodhur”, tha Berisha.
Berisha theksoi se pavarësisht akuzave të tij për kapjen politike të Spak, PD do të vazhdojë të dërgojë denoncime në prokurorinë e posaçme kundër krimit të organizuar e korrupsionit, duke nisur nga denoncimi për punonjësit e administratës që morën pjesë në takimin e kryeministrit Rama.
Nga ana tjetër Berisha përsëriti thirrjen për të gjitha partitë, duke përjashtuar Lulzim Bashën të krijojnë një koalicion të përbashkët në zgjedhje. Aktualisht Berisha pranoi se përveç aleatëve tradicionale PD po negocion me PDIU e Shpëtim Idrizit.
“Shpëtim Idrizi është një aleat dhe ne do zhvillojmë negociata serioze. Ne e vlerësojmë partinë e zotit Idrizi si një aleate të çmuar”, tha ai.
Deri tani PD ka arritur marrëveshje me Partinë e Lirisë, Agron Duken, Fatmir Mediun e Vangjel Dulen të cilët do të kenë deputetë në zonën e sigurt të listës edhe pse ende nuk janë mbyllur bisedimet se në cilat qarqe do të garojnë aleatët. /vizionplus.tv