STAMBOLL – Delegacionet ruse dhe ukrainase takohen në Turqi për bisedimet e paqes

STAMBOLL, 2 qershor /ATSH/- Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina u mblodhën sot në Turqi për raundin e dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta për paqe në pak më shumë se dy javë, megjithëse pritshmëritë mbeten të ulëta për ndonjë progres domethënës për t’i dhënë fund luftës 3-vjeçare – pas një sërë sulmesh të mëdha gjatë fundjavës, sipas AP.
Ukraina tha dje se nisi një sulm spektakolar surprizë në pesë baza ajrore ruse mijëra kilometra larg, duke filluar nga bazat ajrore afër Moskës deri te objektivat në Arktikun, Siberinë dhe Lindjen e Largët të Rusisë. Objektivat ishin më shumë se 7,000 kilometra larg Ukrainës.
Ukraina pretendon se më shumë se 40 avionë luftarakë rusë janë shkatërruar – në atë që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e quajti një “operacion të shkëlqyer” që përfshinte më shumë se një vit planifikimi.
“Ndërkohë, Rusia sulmoi dje Ukrainë – me numrin më të madh të dronëve – 472 – që nga pushtimi në shkallë të plotë në shkurt 2022”, tha forca ajrore e Ukrainës, në një përpjekje të dukshme për të mbingarkuar mbrojtjen ajrore.
Përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për të nxitur të dyja palët të pranojnë një armëpushim kanë dështuar.
Ukraina e pranoi këtë hap, por Kremlini në fakt e hodhi poshtë atë. Instituti për Studimin e Luftës, një grup ekspertësh me qendër në Uashington – vlerësoi dje në mbrëmje se Rusia po përpiqej të vononte negociatat dhe të zgjaste luftën – në mënyrë që të arrinte avancime shtesë në fushën e betejës.
Shqetësimet ndërkombëtare në lidhje me pasojat e luftës, si dhe tensionet tregtare, ulën sot çmimet e aksioneve aziatike, ndërsa çmimet e naftës u rritën.
Deklaratat e fundit nga zyrtarë të lartë në të dyja vendet tregojnë se ata mbeten shumë larg kushteve kryesore për ndalimin e luftës.
Raundi i parë i bisedimeve, i mbajtur më 17 maj, në Stamboll, përfundoi pas më pak se dy orësh.
Ndërsa të dyja palët ranë dakord për një shkëmbim të madh të të burgosurve, nuk pati ndonjë progres.
“Delegacioni ukrainas i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov ndodhet në Stamboll për takimin e sotëm”, tha Heorhii Tykhyi, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ukrainase.
“Delegacioni rus i kryesuar nga Vladimir Medinsky, një ndihmës i udhëheqësit rus Vladimir Putin, mbërriti dje në mbrëmje ne Stamboll”, raportuan mediat shtetërore ruse.
Zyrtarët turq thanë se takimi do të fillonte në orën 13:00 sipas orës lokale, me pjesëmarrjen e ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan që do të kryesojë bisedimet dhe zyrtarë nga agjencia turke e inteligjencës. //a.i/