SERBI – Qindra protestues shënojnë shtatëmujorin e tragjedisë në Novi Sad

BEOGRAD, 2 qershor /ATSH/- Mijëra njerëz u zotuan dje se do të vazhdojnë të luftojnë për drejtësi dhe shtetin e së drejtës në Serbi – ndërsa kërkuan që presidenti Aleksandar Vucic të thërrasë zgjedhjet e parakohshme parlamentare – pas disa muajsh demonstratash të vazhdueshme – që kanë sfiduar kontrollin e tij mbi pushtetin në vendin ballkanik, sipas AP.
Protestuesit e udhëhequr nga studentët e universitetit bllokuan urat në Beograd dhe u grumbulluan në 30 qytete dhe qyteza të tjera serbe, ndërsa shënuan gjithashtu saktësisht shtatë muaj që kur një tendë betoni u shemb në një stacion treni në veri – duke vrarë 16 persona dhe duke shkaktuar valën masive të protestave kundër korrupsionit.
Shumë njerëz në Serbi besojnë se shembja vdekjeprurëse e tendës së stacionit më 1 nëntor në Novi Sad – ishte rezultat i punës së gabuar të rinovimit në ndërtesën e stacionit.
Protestuesit e lidhin katastrofën me korrupsionin e supozuar qeveritar në projektet e mëdha të infrastrukturës me kompanitë shtetërore kineze.
Vucic, të cilin kritikët e kanë akuzuar për vendosjen e sundimit autoritar në Serbi – që kur erdhi në pushtet më shumë se një dekadë më parë – fillimisht hodhi poshtë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, por të premten sugjeroi se ato mund të zhvilloheshin, megjithëse pa thënë saktësisht se kur.
Protestat e djeshme përfshinin ceremoni përkujtimore për viktimat e aksidentit të Novi Sadit dhe marshime e bllokada studentore.
Në Beograd, turmat ndaluan trafikun në dy ura kryesore mbi lumin Sava për tre orë, ndërsa protestuesit në Novi Sad mbanin një kurorë të bardhë për viktimat e shembjes së tendës ndërsa ecnin drejt vendit të aksidentit.
Vucic i ka akuzuar protestuesit se punojnë për fuqi të paspecifikuara perëndimore për të “shkatërruar Serbinë”.
Mediat pro-qeveritare i përshkruan sot bllokadat në Beograd si “terror” dhe pretenduan në mënyrë të rreme se “vetëm një grusht” njerëzish iu bashkuan tubimeve. //a.i/