STOKHOLM – Clarke, Devoret, Martinis fitojnë Çmimin Nobel në Fizikë

STOKHOLM, 7 tetor /ATSH/ – Tre studiues nga universitetet amerikane, John Clarke, Michel H. Devoret dhe John M. Martinis, kanë fituar Çmimin Nobel në Fizikë për kontributet e tyre në fushën e mekanikës kuantike, duke hapur rrugën për zhvillime të reja në teknologjitë e avancuara dhe kompjuterët kuantikë, sipas AP.
Të tre fituesit bashhkëpinojnë me Universitetin e Kalifornisë, ndërsa Devoret bashkëpunon gjithashtu me Universitetin e Yale. Devoret dhe Martinis punojnë në UC Santa Barbara, ndërsa Clarke në UC Berkeley.
“Mekanika kuantike i lejon një grimce të kalojë përmes një pengese përmes tunelizimit”, tha Akademia në njoftimin për shtyp.
Eksperimentet e tyre treguan tunelizim dhe nivele të kuantizuara energjie në një qark elektrik aq të madh sa të mbahet në dorë, duke provuar se efektet kuantike mund të shfaqen edhe në shkallë të madhe.
“Është e mahnitshme si mekanika kuantike, edhe pas një shekulli, vazhdon të sjellë surpriza dhe është themeli i teknologjisë dixhitale”, tha Olle Eriksson, kryetar i Komitetit Nobel për Fizikën.
Ky është çmimi i dytë Nobel i vitit 2025 që shpallet këtë javë, ndërsa çmimet për kimi, letërsi, paqe dhe ekonomi do të njoftohen gjatë javës.
Historikisht, vetëm pesë gra kanë fituar Nobel në Fizikë, duke përfshirë Marie Curie në 1903.
Vitin e kaluar u shpallën fituesit John Hopfield dhe Geoffrey Hinton, të cilët hapën rrugën për zhvillimin e rrjeteve nervore artificiale dhe inteligjencës artificiale moderne.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobel-it, themeluesit të çmimeve. Nobel ishte një industrialist i pasur suedez dhe shpikës i dinamitit, i cili vdiq në vitin 1896. /Ad.Ab./