STRASBURG – BE – ja i jep Gjermanisë “kartë të lirë” për shpenzimet e mbrojtjes

STRASBURG, 25 nëntor /ATSH-AFP/ – Gjermania nuk do të përballet me ndëshkim nga Bashkimi Evropian për thyerjen e rregullave buxhetore të bllokut, falë një përjashtimi të veçantë për shpenzimet e mbrojtjes, njoftoi sot Komisioni Evropian.
Deficiti publik i Gjermanisë pritet të jetë mbi tre për qind në vitin 2025, por nuk do të ndëshkohet pasi është “plotësisht i shpjeguar nga rritja e shpenzimeve për mbrojtjen”, tha ekzekutivi i BE-së.
Sipas rregullave buxhetore të unionit, borxhi i një shteti nuk duhet të kalojë 60 për qind të prodhimit kombëtar, ndërsa deficiti publik nuk duhet të jetë më i lartë se tre për qind.
Por nç fillim të vitit, Brukseli u lejoi vendeve anëtare të shpenzojnë deri në 1,5 për qind të prodhimit kombëtar për mbrojtjen, për një periudhë katërvjeçare, pa iu frikësuar sanksioneve.
Gjermania ishte mes 16 shteteve, përfshirë Danimarkën dhe Poloninë, që kërkuan përjashtime.
Berlini zakonisht është një zë i fortë për disiplinë buxhetore në BE, por me Evropën përballë kërcënimeve të shtuara nga Rusia dhe frikës se blloku po mbetet prapa Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, edhe vetë Gjermania ka ndryshuar kurs.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka zbutur këtë vit rregullat e rrepta të borxhit dhe ka lëshuar një valë shpenzimesh për infrastrukturën dhe mbrojtjen, me synimin për të ringjallur ekonominë më të madhe të eurozonës pas dy vitesh recesioni.
Komisioni tani thotë se pret që deficiti i Gjermanisë – diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve qeveritare, të arrijë në 3,1 për qind këtë vit.
Ndërsa Berlini i shpëton ndëshkimit, Brukseli tha gjithashtu se do të propozojë hapjen e një procedure për deficit të tepruar ndaj Finlandës, pasi deficiti i saj është gjithashtu më i lartë se sa lejojnë rregullat, dhe vetëm “pjesërisht i shpjeguar nga rritja e shpenzimeve të mbrojtjes”.
BE – ja ka hapur tashmë procedura të ngjashme kundër Austrisë, Belgjikës, Francës, Hungarisë, Italisë, Maltës, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë.
Një procedurë e tillë detyron një vend të negociojë me Brukselin një plan për të rikthyer borxhin ose deficitin brenda kufijve të lejuar. /Ad.Ab./