E Diel, 1 Nëntor 2026

STRASBURG – Parlamenti Evropian dërgon në gjykatë marrëveshjen BE-Mercosur

STRASBURG, 21 janar /ATSH-DPA/ – Parlamenti Evropian ka vendosur që marrëveshja e kontestuar e BE-së për tregti të lirë me katër vende nga blloku amerikano-latin “Mercosur” të shqyrtohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Në një votim sot, 334 ligjvënës të Bashkimit Evropian votuan pro vlerësimit ligjor, 324 kundër dhe 11 abstenuan.

Pritja për opinionin e gjykatës mund të vonojë ndjeshëm procesin e ratifikimit për marrëveshjen me katër vendet e Mercosur-it, Brazili, Argjentina, Paraguaji dhe Uruguaji.

Nuk dihet sa kohë do t’u duhet gjyqtarëve në Luksemburg për të dhënë vlerësimin, por proceset e mëparshme kanë zgjatur midis 16 dhe 26 muajsh.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua javën e kaluar në Paraguaj, pas më shumë se 25 vitesh negociata, synon të heqë barrierat tregtare dhe tarifat doganore dhe të rrisë shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve.

Rezoluta e sotme kritikoi faktin që marrëveshja u vendos në një mënyrë që kërkon vetëm miratimin e Parlamentit Evropian dhe jo ratifikimin nga parlamentet kombëtare./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›