E Diel, 1 Nëntor 2026

SUEDI – Grynkewich: NATO po forcon ndjeshëm bashkëpunimin në Arktik

BRUKSEL, 12 janar /ATSH/- Aleatët e NATO-s po forcojnë ndjeshëm bashkëpunimin e tyre në Arktik, përballë aktivitetit të shtuar ushtarak rus dhe kinez në këtë rajon strategjik, tha komandanti suprem i Forcave Aleate, gjenerali Alexus Grynkewich, gjatë konferencës mbi Politikën e Sigurisë dhe Mbrojtjes të mbajtur në Salen të Suedisë, sipas “Deep Sea Reporter”.

“Aleatët po punojnë ngushtë së bashku për çështjet e Arktikut. Kohët e fundit kemi rënë dakord të rrisim praninë, aktivitetet dhe manovrat tona në Veriun e Epërm”, tha Grynkewich.

Sipas tij, bashkëpunimi ushtarak midis vendeve aleate në këtë rajon nuk ka qenë kurrë më i fortë, ndërsa situata e sigurisë po bëhet gjithnjë e më komplekse.

Gjenerali vuri në dukje se anijet ruse dhe kineze po kryenin gjithnjë e më shumë patrullime të përbashkëta në Veriun e Epërm, një zhvillim që, sipas tij, përbënte një kërcënim në rritje.

“Kërcënimi do të bëhet gjithnjë e më i madh”, paralajmëroi ai, duke theksuar nevojën për rritje të vigjilencës dhe koordinim më të ngushtë midis aleatëve në Arktik, një zonë kyçe për sigurinë euroatlantike. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›