E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sa është premio për lojtarët e Egnatias? Gazetari sjell detajet nga Rumania para sfidës me Craiovën

Egnatia do të luajë të enjten në mbrëmje një tjetër sfidë të rëndësishme në Ligën e Konferencës, këtë herë në transfertë ndaj skuadrës rumune Universitatea Craiova. I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Rumania për emisionin “Kubi Sportiv”, gazetari Emanuel Loci, i cili ndodhet në Craiova, vlerësoi atmosferën pozitive në kampin rrogozhinas, pavarësisht vështirësive që e presin skuadrën.

“Atmosfera e lojtarëve dhe e stafit është mjaft pozitive për këtë takim. Është kundërshtari i tretë, i cili në letër është dukshëm më favorit, por Egnatia ka treguar se mund të përballet edhe me skuadra me emër në Europë”, u shpreh Loci.

Një nga shqetësimet për trajnerin Nevil Dede janë mungesat në prapavijë. Ildi Gruda nuk ka udhëtuar me skuadrën për shkak të dëmtimit të pësuar ndaj Tiranës, ndërsa Elon Sota ka kryer ndërhyrjen e planifikuar në Barcelonë. Nga ana tjetër, gazetari konfirmoi se Bitri do të jetë i gatshëm për ndeshjen, pasi stafi mjekësor ka arritur ta rikuperojë në kohë rekord.

Sa i përket atmosferës në qytetin rumun, Loci bëri të ditur se drejtuesit e Craiovës presin rreth 17 000 tifozë në stadium, i cili ka një kapacitet prej 30 000 vendesh. Sipas tij, kjo tregon edhe rëndësinë që i është dhënë përballjes me kampionët shqiptarë.

“Do të jetë një atmosferë e zjarrtë. Drejtuesit e klubit rumun presin rreth 17 000 tifozë në stadium, një shifër relativisht e lartë, që tregon edhe vlerësimin për sfidën ndaj Egnatias”, tha gazetari.

Loci u ndal edhe te rëndësia financiare e kësaj përballjeje. Një fitore do t’i siguronte Egnatias 400 000 euro nga UEFA, ndërsa një barazim do të shpërblehej me 133 000 euro. Ndërkohë, edhe presidenca e klubit ka vendosur një premio prej 100 000 eurosh për lojtarët në rast fitoreje dhe 30 000 eurosh në rast barazimi.

Duke analizuar shanset e skuadrës shqiptare, gazetari u shpreh optimist, duke vlerësuar se Egnatia ka treguar se nuk frikësohet nga emrat e kundërshtarëve.

“Duke parë që dy ndeshjet e para kanë qenë paraqitje mjaft pozitive dhe Egnatia nuk u frikësua nga emrat, do të thoja se shanset janë 50 me 50, ose pak më shumë në favor të Egnatias”, deklaroi Loci.

Megjithatë, ai theksoi se Universitatea Craiova është një kundërshtar i fortë, që ka investuar dhe synon titullin kampion në Rumani.

“Është një rival mjaft i vështirë dhe kjo nuk mund të shihet si një ndeshje e radhës. Egnatias i kanë rënë pikërisht këto ndeshje të vështira”, u shpreh gazetari.

Në prag të kësaj përballjeje, Egnatia ka mbërritur në Rumani, ku do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore ndërsa synon të marrin fitoren e parë në këtë kompeticion, pas dy barazimeve në dy ndeshjet e para ndaj Midtjylland dhe Aarhusit.

Lajme të Sugjeruara

“Bratu dështoi në fazën përgatitore”, gazetari Baze: Lojtarët e Partizanit nuk ishin në gjendjen e duhur

“Bratu dështoi në fazën përgatitore”, gazetari Baze: Lojtarët e Partizanit nuk ishin në gjendjen e duhur

Sota dëmtohet rëndë në sytë e trajnerit Maran, presidenti Fatos Troplini bën gjestin e rrallë

Sota dëmtohet rëndë në sytë e trajnerit Maran, presidenti Fatos Troplini bën gjestin e rrallë

Nga derbi Tirana–Dinamo te gara për titull, Matraxhiu analizon Superioren: Egnatia mbetet pretendente

Nga derbi Tirana–Dinamo te gara për titull, Matraxhiu analizon Superioren: Egnatia mbetet pretendente

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›