Sadushi: Magjistrati i ri mos ta zëvendësojë drejtësinë me formalizëm

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Në ceremoninë e përmbylljes së Projektit të Binjakëzimit për forcimin e kapaciteteve të Shkollës së Magjistraturës, kryetari i Gjykatës së Lartë dhe kryetar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi, vuri theksin te roli vendimtar që ka formimi profesional i magjistratëve në garantimin e një drejtësie cilësore, efikase dhe të besueshme.
“Magjistrati i ri nuk hyn në sistem vetëm për të zbatuar norma. Ai hyn në një detyrë ku duhet të dëgjojë, të arsyetojë, të pranojë debatin, të përballet me presionin dhe të mos e zëvendësojë drejtësinë me formalizëm. Në fund, vlera e një projekti nuk matet me raportet që mbyllen sot, por me standardin që mbetet nesër në mënyrën si përzgjedhim, formojmë dhe trajnojmë magjistratët”, tha Sadushi.
Duke vlerësuar mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë, Sadushi theksoi se investimi në përzgjedhjen, formimin dhe zhvillimin profesional të magjistratëve është investim i drejtpërdrejtë në cilësinë e drejtësisë dhe në forcimin e shtetit të së drejtës.
“Projekti i Binjakëzimit, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar gjatë periudhës 2024-2026, ka pasur si qëllim forcimin e efikasitetit, integritetit dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë, përmes rritjes së kapaciteteve të Shkollës së Magjistraturës. Ai është ndërtuar mbi tri drejtime kryesore: trajnimin fillestar, programet e trajnimit vazhdues dhe provimin e pranimit.
“Vlera e këtyre tre drejtimeve qëndron në faktin se ato e shohin formimin e magjistratit si një proces të pandërprerë, nga përzgjedhja për të hyrë në Shkollë, te përgatitja për ushtrimin e funksionit, e deri te zhvillimi profesional që duhet ta shoqërojë gjatë gjithë karrierës.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia më e madhe e projektit. Ai e sheh Shkollën jo thjesht si institucion që administron programe trajnimi, por si një hallkë që ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, vlerat e tij duhen parë jo vetëm në atë që është realizuar gjatë zbatimit, por sidomos në atë që i mbetet Shkollës si orientim për të ardhmen”, tha ai.
Sadushi, vlerësoi projektin e mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë si një hap të rëndësishëm për forcimin e cilësisë së formimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri. Në fjalën e tij, ai theksoi se vlerat e projektit përmblidhen në pesë drejtime kryesore: trajnimin fillestar, zhvillimin profesional të magjistratëve në detyrë, provimin e pranimit, përmirësimin e kurrikulave dhe metodologjive, si dhe forcimin e kulturës institucionale të Shkollës.
Sipas Sadushit, formimi fillestar nuk duhet të kufizohet vetëm në njohjen e ligjit, por duhet të ndërtojë aftësi konkrete profesionale, si analiza e rasteve, arsyetimi i vendimeve, menaxhimi i procesit dhe komunikimi etik. Ai nënvizoi se projekti e afron më shumë trajnimin me praktikën reale të gjykatave dhe prokurorive.
Në lidhje me trajnimet, Sadushi theksoi se ai duhet të jetë një instrument real për përmirësimin e cilësisë së drejtësisë, duke iu përgjigjur problematikave konkrete që hasin gjyqtarët dhe prokurorët në ushtrimin e detyrës. Ai vuri në dukje se legjislacioni në ndryshim dhe standardet evropiane kërkojnë një përditësim të vazhdueshëm profesional.
Sadushi evidentoi gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të kurrikulave dhe metodologjive përmes bashkëpunimit me shkollat evropiane të magjistraturës, duke e cilësuar këtë si një kontribut konkret në ngritjen e standardeve dhe në nxitjen e mendimit kritik. Sipas tij, suksesi i vërtetë do të matet me standardet që do të mbeten në praktikën e përditshme të Shkollës së Magjistraturës dhe në cilësinë e drejtësisë shqiptare.
“Shkolla e Magjistraturës ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në sistemin e drejtësisë. Ka formuar breza magjistratësh, ka përballuar ndryshime të mëdha dhe ka mbajtur mbi vete një përgjegjësi të rëndësishme publike. Pikërisht kjo histori e bën më të fortë detyrimin tonë për ta çuar Shkollën në një nivel tjetër.
Magjistrati i ri nuk hyn në sistem vetëm për të zbatuar norma. Ai hyn në një detyrë ku duhet të dëgjojë, të arsyetojë, të pranojë debatin, të përballet me presionin dhe të mos e zëvendësojë drejtësinë me formalizëm. Këto nuk janë cilësi shtesë, janë pjesë e profesionalizmit të vërtetë. Prandaj, përmbyllja e këtij projekti nuk duhet të shihet si fund. Duhet të shihet si fillim i një faze më të ndërgjegjshme. Kjo është mënyra më e mirë për të falënderuar Bashkimin Evropian dhe partnerët tanë. Kjo është mënyra më e mirë për të respektuar punën e Shkollës së Magjistraturës në këto tri dekada. Kjo është mënyra më e mirë për t’i shërbyer drejtësisë shqiptare, duke e kthyer mbështetjen në vizion, vizionin në përkushtim dhe përkushtimin në cilësi”, tha ai.
/m.q/j.p/r.e/