Vengu i përgjigjet Berishës: Vlonjatët nuk ju kërkojnë leje, shko pyeti për turizmin e Zvërnecit

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste në qarkun e Vlorës, Pirro Vengu reagoi sot në Kuvend ndaj akuzave të opozitës lidhur me zhvillimin e zonës së Zvërnecit dhe protestat e ditëve të fundit, duke e cilësuar debatin të politizuar.
Gjatë replikave me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha lidhur me zhvillimin e zonës së Zvërnecit dhe protestat e ditëve të fundit në Tiranë, Vengu kërkoi më shumë maturi në trajtimin e çështjeve që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit.
Vengu, deputet i qarkut të Vlorës, akuzoi opozitën për politizim të debatit dhe kërkoi më shumë maturi në trajtimin e çështjeve që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit.
“Doktor mund të rrish gjatë, të sugjeroj që të ulesh sepse do kërkosh replikë shumë shpesh me mua sot. Është për tu vlerësuar fakti që ne po flasim shumë më shumë sesa Zvërnecit. Kemi disa ditë në Kuvend, në shesh dhe online. Jetojmë në kohë ku patjetër dhe algoritmet kanë hyrë në shesh dhe është mirë që ta pranojmë të gjithë, ky është realiteti i botës ku jetojmë dhe kërkohet një maturi shumë e madhe përsa i përketë vlerësimit të mesazhit politik dhe të leksioneve që përçon qoftë situata në Zvërnec qoftë dhe proteste që këto ditë na shoqëron të gjithëve”, tha Vengu.
Në vijim të replikës me Berishën, Vengu reagoi edhe ndaj komenteve që prekën prejardhjen e tij familjare.
“Doktor, se e ke zakon që përmend fis e farefis. T’ju shpjegoj pak që patjetër unë jam krenar që kam prejardhjen suljote, jam krenar që kam dhe mamanë minoritare. Jam krenar që jam përfaqësues i njerëzve që kanë pasur një kontribut të pazëvendësueshëm në themelimin e shtetit tonë shqiptar, madje edhe firmëtarë të Pavarësisë, në qoftë se doni. Jemi lodhur t’ju dëgjojmë si hije nga e kaluara që nuk largohet nga kjo seancë dhe nga ky Kuvend. Ju falënderoj për rekomandimet që keni!”, deklaroi Vengu.
Ai theksoi se qytetarët e Vlorës nuk kanë nevojë për miratimin e askujt për të marrë vendimet e tyre.
“Dhe një herë e përsëris, vlonjatët nuk ju kërkojnë leje dhe nuk kanë nevojë të marrin leje nga ju”, përfundoi Vengu.
Vengu reagoi edhe ndaj deputetit Agron Shehaj dhe zërave të tjerë të opozitës që, sipas tij, po mbajnë qëndrime kontradiktore ndaj investimeve të mëdha në vend.
“Shoh këtu që ka disa kolegë që kanë zbuluar romantizmin antikapitalizëm ditët e fundit sepse konsiderojnë që kjo protesta qenka interesante dhe duan të bëhen pjesë dhe ata. Kur deri para pak ditësh flisnim për tapete të kuq që duhet t’u shtronim atyre që sillnin 1 miliard, 2 miliardë a po më shumë në vendin tonë. Është e lehtë në botën e medias sociale të jesh politikan pa bosht. Mblidheni mendjen, tregoni maturi dhe tregojuni të vërtetën shqiptarëve. Po flasim më shumë sesa për Zvërnecin, po flasim për mënyrën e zhvillimit të këtij vendi dhe zhvillimi i këtij vendi duhet të jetë objekt debatesh maturie dhe aspak linçimit të njëri-tjetrit”, u shpreh Vengu.
/k.s/r.e/ /a.g/