Sako: Durrësi ka hapur një kapitull të ri zhvillimi me projektet madhore që kanë nisur

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, gjatë fjalës së saj sot në takimin me turoperatorë, hotelierë dhe profesionistë të turizmit në një diskutim për sezonin veror që po troket, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, tha se tashmë në Durrës kanë nisur një seri investimesh madhore që kanë hapur një kapitull të ri zhvillimi për qytetin bregdetar.
“Kemi nisur investime të rëndësishme, që nga rilindja urbane, le të themi, dhe tashmë mund të shohim një pamje të plotë të transformimeve që ka pësuar qyteti i Durrësit, por edhe qytetet e tjera kudo në Shqipëri, dhe falë këtyre investimeve sot në e gjejmë veten që në qytetet tona ka më shumë investime nga sektori privat. Pra, kjo është një punë dypalëshe, pra dhe punët që ka bërë sektori privat, institucionet lokale, mbështetjen që kemi pasur nga Kryeministri dhe nga qeveria shqiptare në investime, por edhe vetë investimet që ka bërë biznesi në këto sektor”, tha Sako.
“Durrësi tashmë ka hapur një kapitull të ri zhvillimi me ato projektet madhore që kemi në qytetin tonë duke u transformuar që nga marina e cila është një kantier që prej kohësh ka filluar nga puna, me zgjerimin e vijës bregdetare dhe zgjatjen e saj. Kemi përfunduar para një viti një kantier të rëndësishëm që është ai i shëtitores së plazhit në fazën e parë dhe tashmë po zbatohet faza e dytë. Prapë kjo është shoqëruar me një tjetër investim shumë të rëndësishëm, i cili është zgjerimi i brezit e rërës në këtë vijë bregdetare, një ndërhyrje e domosdoshme për të përmirësuar sistemin e turizmit në atë zonë, por edhe rehabilitimin e gjithë vijës së parë të fasadave të objekteve, plus jemi përballur dhe me problematika që vijnë si pasojë e rritjes së fluksit qoftë të vizitorëve dhe turistëve, siç është trafiku në qytetin e Durrësit, edhe për këto kemi pasur mbështetjen e Kryeministrit dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, vijoi ajo.
Kryebashkiakja e Durrësit pohoi se ka nisur puna për dy projekte shumë të rëndësishme: ai i ndërtimit të një pikë parkimi, një godinë parkimi në qytet dhe ndërhyrja në qytet me investimin në unazën e Durrësit.
“Ky është një kantier tashmë i hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me të cilin sigurisht mendojmë që do t’i japim një alternativë zgjidhje sa i takon trafikut në qytetin e Durrësit. Ndërkohë, në proces kemi ndërhyrjen në shëtitoren “Taulantia”, pra faza midis nga Pista deri te Sfinksi dhe hyrja e Durrësit, të cilat janë gjithashtu projekte që do të ndikojnë për tjetër në lëvizshmërinë, përmirësimin e zonave turistike, por edhe atë të trafikut.
Elementi i tjetër shumë i rëndësishëm për Durrësin, ne e kemi parë tashmë, jemi dëshmitarë të markave ndërkombëtare që janë vendosur në qytetin e Durrësit […] dhe sigurisht që këto investime kanë ardhur si pasojë e mbështetjes që kanë marrë nga qeveria apo lehtësirave financiare, por edhe i gjetjes së një klime të mirë në qytet qoftë në aspektin e sigurisë, qoftë në aspektin e infrastrukturës”, nënvizoi Sako.
Kryebashkiakja cilësoi se fluksi i turistëve që vizitojnë jo vetëm Durrësin, por gjithë qytetet e vendit duhet të përkthehet në ekonomi jo vetëm për të ardhurat qendrore, por edhe për autoritetet lokale. “Momenti për cilin e jemi sot këtu është për të folur për vjeljen dhe digjitalizimin e këtij shërbimi. Ministrja sigurisht do ta sqarojë më në detaje këtë proces, por unë do të thosha që është një proces i domosdoshëm, sepse gjithë fluksi e turistëve që ne shohim qytetet tona, duhet patjetër të përkthehet në një ekonomi jo vetëm për të ardhurat qendrore, por edhe për autoritetet lokale, sepse nëpërmjet këtyre të ardhurave në kemi mundësi që të japim më shumë investime për ju, më shumë siguri, më shumë për të mbajtur më pastër qytetin dhe për të investuar në pastrim, në mjete, në infrastruktura të cilat janë të domosdoshme”, tha ajo.
/r.e//a.f/