Sako takim me strukturat e Policisë Bashkiake: Rritje e pranisë në zonat me fluks të lartë

TIRANË, 20 prill /ATSH/ Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, zhvilloi një takim me strukturat e Policisë Bashkiake, gjatë të cilit u prezantua edhe drejtori i ri i këtij institucioni, Flamur Gjuzi.
Në fokus të këtij takimi ishte forcimi i angazhimit në terren, veçanërisht në kuadër të sezonit turistik, si dhe përcaktimi i prioriteteve të punës për periudhën në vijim.
Sako theksoi nevojën për rritjen e prezencës së Policisë Bashkiake në zonat me fluks të lartë qytetarësh dhe vizitorësh, me qëllim garantimin e rendit dhe mirëmenaxhimit të hapësirave publike.
Kryebashkiakja e Durrësit kërkoi intensifikimin e kontrolleve për zbatimin e legjislacionit në fuqi lidhur me administrimin e hapësirave publike, duke vënë theks të veçantë tek respektimi i vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, ajo kërkoi reagim të menjëhershëm ndaj ndërtimeve pa leje, si dhe monitorim të vazhdueshëm të hapësirave të plazheve publike.
Sako nënvizoi edhe rëndësinë e luftës kundër ndotjes akustike dhe mbrojtjes së mjedisit, si elementë thelbësorë për përmirësimin e cilësisë së jetesës në qytet dhe përvojës së turistëve.
Në përfundim, Sako kërkoi përkushtim maksimal dhe zbatim rigoroz të ligjit dhe detyrave funksionale nga të gjitha strukturat, me synimin për të ofruar një shërbim sa më cilësor për qytetarët dhe vizitorët e Durrësit.
/e.i/j.p/