E Hënë, 2 Nëntor 2026

Salianji në Apel për “Babalen”, vendimi për deptetin e PD do të jepet në 26 shtator

Në 26 shtator Gjykata e Apelit do të shpallë vendimin për deputetin demokrat Ervin Salianji, i cili akuzohet për kallëzim të rremë ndaj vëllait të ish-ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Në seancën e kësaj të premteje, në mbështetje të Salianjit, në gjykatë ishin edhe deputetët e partisë demokratike, të cilët pretendojnë se gjyqi është politik. Si përballë togave të zeza edhe për mediat ai pretendon pafajsinë.

“Unë pres pafajësi dhe të mbyllet kjo çështje. Unë di të them se nuk kam kryer asnjë vepër penale dhe asnjë krim. Unë nuk kam frikë nga asgjë përveç zotit, frikën nuk e njoh. Unë jam për interes të publikut duke bërë denoncime dhe jo për interesa personale, dhe së treti përdorimi politik, keni parë ndonjë politikan që të jetë në gjykata të zakonshme. Unë nuk jam në SPAK sot”, tha Ervin Salianji.

Salianji u mbrojt para trupes se gjyqtareve duke vene ne dukje se nuk ka bërë kallëzim të rremë por se gjithnjë ka bërë denoncime ndaj njerëzve të pushtetit, e një të tillë do ta bëjë edhe për ish- ministrin e brendshëm, Fatmir Xhafaj në SPAK.

“Do depozitojmë kallëzim për këtë çështje, për Fatmir Xhafën si subjekt i Ligjit Antimafia, për gjyqtarin e çështjes dhe të tjerët. Fatmir Xhafa nuk po hetohet. Çfarë e pengon të SPAK që të hetojë Fatmir Xhafën, që ka vëllanë të dënuar për drogë në Itali. Apo e pengojnë kullat e ndërtuara dhe aksionet në një prej bankave të nivelit të dytë. Do i denoncojmë të gjitha, se i kemi. Do t’i demontoj në çdo lloj forme”, shtoi ai.

Deputeti demokrat theksoi se nuk e ka takuar asnjëherë as Albert Veliun, që njihet me emrin Babalja dhe as Alfred Alizotin që u dënua për montimin e zërit të Geron Xhafajt në audiopërgjimin e publikuar në 2018.

Ndërkohë, nga ana tjetër prokurori kërkoi shpalljen fajtor të deputetit Salianji dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Penale me nje vit burg.

Në 2018 partia demokratike publikoi një audiopërgjim, duke pretenduar se Geron Xhafaj, vëllai i ministrit të brendshëm të kohës, Fatmir Xhafaj bisedonte për trafik droge me Albert Veliun i njohur me emrin Babalja. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›