Salla: Prodhimet organike shqiptare po konsolidojnë praninë në tregjet europiane

Në fshatin Kllogjer të Gramshit, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me kryetarin e bashkisë Besian Ajazi, vizituan sot SHBB “Bio-Holta”, një sipërmarrje e ngritur me mjeshtëri nga agronomi i njohur Shefqet Hysa.
“Bio-Holta” është kthyer në një pikë referimi për prodhimin e verës, rakisë dhe bimëve medicinale, duke ndërthurur traditën me standardet moderne të kultivimit organik. Shefqet Hysa është i pari në Gramsh që prodhon raki ekskluzivisht nga rrushi organik, duke ruajtur zinxhirin e vlerës së produktit dhe duke bashkëpunuar ngushtë me fermerët e zonës.”-shkruan ministri.
Sipas tij, falë mbështetjes nga Skema Kombëtare për prodhimin organik, kjo sipërmarrje ka arritur të ulë kostot e prodhimit dhe të rrisë cilësinë e produkteve, duke siguruar standarde të larta dhe duke forcuar markën “Made in Albania” në tregjet ndërkombëtare.
“Sot, verërat, rakia dhe bimët medicinale të “Bio-Holta” eksportohen edhe drejt Austrisë, duke dëshmuar se përkushtimi dhe profesionalizmi i fermerëve shqiptarë po gjejnë vend të denjë në Europë.”- përfundon mesashin e tij, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
/rtsh.al/