Berisha propozon platformë kundër shpopullimit: Bonuse mujore dhe pagesa për çdo fëmijë

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij në një konferencë per media ka ngritur shqetësimin për shpopullimin duke e konsideruar si “goditjen më të rëndë ekzistenciale” që kombi shqiptar ka përjetuar në historinë e tij.
Ai prezantoi atë që e cilëson si platformën e PD-së për të luftuar këtë fenomen dhe për të nxitur lindshmërinë.
“Lindshmëria sot është e barabartë me atë që kishte populli shqiptar 100 vite më parë, kur numri i banorëve ishte vetëm 700 mijë,” tha Berisha, duke theksuar se kjo është pasojë e një “akt i planifikuar që përbën një gjenocid të vërtetë ndaj shqiptarëve”.
Sipas tij, treguesit demografikë janë përkeqësuar dukshëm gjatë 10 viteve të qeverisjes Rama duke regjistruar një rënie historike të lindshmërisë dhe një rritje të vdekshmërisë. Ai paralajmëron se, nëse nuk ndërmerren masa urgjente, popullsia shqiptare rrezikon zhdukjen.
Berisha shtoi se Konventa e OKB-së, neni 3, e shpall këtë fenomen si një “gjenocid të heshtur, paqësor” që mund të ushtrohet ndaj një populli. Ai theksoi se boshatisja e vendit është e garantuar nëse vazhdohet me largimet masive të qytetarëve jashtë vendit dhe me deficitin e lindjeve mbi vdekje.
Kryedemokrati kërkon vendosjen e një platforme kombëtare për të rikthyer ekuilibrin demografik dhe për të shmangur zhdukjen e popullit shqiptar. Sipas tij, kjo përfshin: pagesa direkte për çdo fëmijë, nga 1 mijë deri në 5 mijë euro dhe bonuse mujore për familjet, nga 50 deri në 60 euro.
/rtsh.al/