E Diel, 1 Nëntor 2026

Salla: Rishikohet mënyra e përfitimit nga skema e naftës, bashkitë pjesë e procesit të aplikimit për fermerët

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla bëri të ditur sot se pritet të rishikohet mënyra e përfitimit nga skema e naftës, si pjesë e paketës së re mbështetëse.

“Jemi duke diskutuar masat e reja që do të aplikohen brenda pak ditësh në skemën kombëtare. Po rishikojmë procesin e aplikimit dhe paketat e mbështetjes për fermerët, përfshirë edhe mbështetjen për naftën. Shumë shpejt do të dalim me skemën e re që do të përfshijë të gjitha këto masa”, tha Salla.

Ai shtoi se prioritet do të kenë blegtorët dhe të rinjtë që duan të investojnë në këtë sektor.

“Do të mbështesim blegtorët për të rritur numrin e tyre dhe për të ofruar mbështetje financiare të kërkuar gjatë takimeve në 12 qarqet e vendit. Ky sektor do të jetë prioritar për masat e reja”, tha ministri.

Salla bëri të ditur se Garancia Sovrane dhe bashkëpunimi me bankat e nivelit të dytë do të lehtësojnë aplikimin për fermerët.

“Kemi pasur takim me guvernatorin dhe bankat e nivelit të dytë për të lehtësuar dhe orientuar fermerët për të aplikuar për garancinë sovrane. Në mbështetje do të jenë edhe AZHBR dhe agropikat që kemi në terren. Për herë të parë dhe bashkitë do të mbështesin procesin, duke na orientuar e duke bërë një kontroll në të gjithë aplikimet që ne do të kryejmë”, tha Salla.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›