Fermerët mund të shlyejnë kontributet e prapambetura pa gjoba e kamatëvonesa deri në 31 dhjetor 2026

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Fermerët e vetëpunësuar në bujqësi do të kenë mundësi të rregullojnë detyrimet e prapambetura për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore pa paguar gjoba dhe kamatëvonesa, pas miratimit të ligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme në doganë”.
Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), Astrit Hado bëri të ditur se ligji parashikon që për të gjitha detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014 të fshihen plotësisht dënimet administrative, ndërsa fermerët do të duhet të paguajnë vetëm kontributin bazë.
Për periudhën nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2024, gjobat dhe kamatëvonesat do të shuhen, me kusht që kontributi i plotë të paguhet brenda datës 31 dhjetor 2026.
Hado theksoi se kjo nismë u jep mundësi fermerëve që prej vitesh kanë detyrime të akumuluara t’i mbyllin ato pa kosto shtesë, duke paguar vetëm shumën e kontributeve sipas masës së përcaktuar.
Sipas vendimit të Këshilli i Ministrave, kontributi vjetor për të vetëpunësuarit në bujqësi është 38 400 lekë për zonat fushore dhe 29 400 lekë për zonat malore.
Autoritetet bëjnë apel që fermerët të përfitojnë nga kjo mundësi brenda afatit ligjor, në mënyrë që të sigurojnë vijimësinë e përfitimeve nga skema e sigurimeve shoqërore, përfshirë të drejtën e pensionit dhe mbrojtjen shëndetësore.

/a.f/r.e/