Salla me fermerin në Divjakë: Skema Kombëtare e Mbështetjes ka ulur koston prodhimit

TIRANË, 25 tetor /ATSH/ Në Divjakë, në fermën “Vida” të Armelin Pupit, e cila ka nisur aktivitetin në vitin 2023, mbarështohen 600 dele dhe 210 dhi.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla tha se në këtë fermë “çdo ditë ndërthuren puna, pasioni dhe përkushtimi për të krijuar një zinxhir të plotë vlere, nga mbarështimi i tufës deri te përpunimi i qumështit në nënprodukte cilësore”.
Sipas ministrit, “falë Skemës Kombëtare të Mbështetjes, Armelini ka ulur kostot e prodhimit, ka rritur rendimentin për krerë dhe ka garantuar cilësi e gjurmueshmëri në çdo hallkë të procesit prodhues, duke i dhënë vlerë të shtuar çdo produkti që del nga ferma”.
Kjo skemë mbetet një ndër instrumentet kryesore të politikës së Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për të nxitur zhvillimin e sektorit rural, për të garantuar prodhim cilësor dhe për të përgatitur fermat shqiptare për sfidat e integrimit në tregun europian.
Masat e Skemës Kombëtare 2025 përfshijnë: Mbështetje për tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta); Zhvillimin e bletarisë; Mbështetje për farë, fidanë dhe inpute të tjera bujqësore; Kultivimin e bimëve mjekësore-aromatike; Nxitjen e fermave organike; Certifikimin Global GAP (standard ndërkombëtar për sigurinë ushqimore dhe gjurmueshmërinë); Mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2025 ofron financim 100% për grupimet e fermerëve dhe Shoqëritë e Bashkëpunimit.
1 nga 13/m.q/a.f/r.e/