Samiti i Diasporës/ Fino: 17 panele që prekin çdo sektor, për herë të parë na bashkohet Kosova. Në fokus, arsimi dhe gjuha shqipe

Samiti i katërt i Diasporës do të zhvillohet në Tiranë në datat 13, 14 dhe 15 prill, duke mbledhur qindra përfaqësues të shqiptarëve nga e gjithë bota në një platformë diskutimi dhe bashkëpunimi. Aktiviteti do të mbahet në Pallatin e Kongreseve dhe pritet të sjellë një qasje të re, më gjithëpërfshirëse ndaj diasporës.
E ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, zv.ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, bëri të ditur se samiti do të përfshijë 17 panele tematike përgjatë tre ditëve, që do të trajtojnë fusha të ndryshme si ekonomia, digjitalizimi, kërkimi shkencor, arsimi, zhvillimi rural dhe shoqëria civile.
Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është organizimi i një paneli të përbashkët me Kosovën, i fokusuar në unifikimin e gjuhës shqipe dhe forcimin e bashkëpunimit në arsim. Në qendër të diskutimeve do të jenë çështje si tekstet e unifikuara, shpërndarja falas e tyre dhe trajnimi i mësuesve shqiptarë në diasporë.
“Do ketë 17 panele, do jenë të tematikave të ndryshme, të sektorëve që na prekin të gjithëve. Do kemi një panel bashkë me Kosovën, do jetë e fokusuar se çfarë mund të bëjmë për unifikimin e gjuhës shqipe. Janë bërë goxha hapa në 10-vjecarin e fundit, kemi pasur unifikimin e teksteve me Kosovën, trajnimin e mësuesve shqiptarë apo dërgimin e teksteve falas. Por kjo do jetë tjetër tryezë e dedikuar se çfarë mund të bëjnë bashkë dy vendet sa i përket diasporës. Do ketë panele dhe diskutime në fushën e ekonomisë, digjitalizimit, kërkimit shkencor, akademisë, zhvillimi rural. Do ketë shumë surpriza dhe pjesëmarrësit do jenë të larmishëm. Nuk do ketë vetëm përfaqësues të institucioneve qendrore apo vendore por dhe të institucioneve të pavarura, personalitet të spikatuara të diasporës nga bota e biznesit, e akademisë, e shoqërisë civile. Janë shumë të rëndësishme mekanizmat që do të krijojmë nga ky samit dhe që do vijojnë dhe pas samitit. Duam një angazhim që do të vijojë edhe më tej”, deklaroi Fino.
Ajo theksoi se në këtë samit do jetë dhe Këndi i Librit dhe aktivitete të dedikuara për botën arbëreshe, apo dhe pjesës ndërfetare.
“Do jetë Këndi i Librit, do ketë aktivitete të dedikuara për botën arbëreshe, apo dhe pjesës ndërfetare. Mendoj se është diçka që duhet promovuar kudo ka shqiptarë në botë. Do ketë panele gjithëpërfshirëse.
Do jenë të gjitha moshat. Ftesa ka qenë e hapur. Ka pasur shumë interes, ka pasur regjistrime mbi 1000 të interesuar. Na vjen mirë për këtë interes të madh”, deklaroi zv.ministrja.
Një tjetër pikë kyçe do të jetë diskutimi mbi hartimin e strategjisë së diasporës për periudhën 2026-2030, ku synohet përfshirja aktive e komuniteteve shqiptare jashtë vendit në vendimmarrje. Sipas Finos, qëllimi është kalimi nga diskutimet në hapa konkretë dhe krijimi i mekanizmave që do të vijojnë edhe pas përfundimit të samitit.
“Do ketë shumë surpriza dhe pjesëmarrësit do jenë të larmishëm. Nuk do ketë vetëm përfaqësues të institucioneve qendrore apo vendore por dhe të institucioneve të pavarura, personalitet të spikatuara të diasporës nga bota e biznesit, e akademisë, e shoqërisë civile.
Janë shumë të rëndësishme mekanizmat që do të krijojmë nga ky samit dhe që do vijojnë dhe pas samitit. Duam një angazhim që do të vijojë edhe më tej”, shtoi ajo.
Ky edicion i katërt vjen si një vazhdim i përpjekjeve të nisura që nga samiti i parë në vitin 2016, i cili hodhi bazat ligjore dhe institucionale për marrëdhëniet me diasporën. Autoritetet synojnë që këtë herë të forcojnë më tej lidhjet dhe të nxisin kontributin e diasporës në zhvillimin dhe integrimin e vendit.
/rtsh.al/