E Hënë, 2 Nëntor 2026

Samiti i Komunitetit Politik Evropian, Rama shijon një kafe me kryeministrin grek dhe Charles Michel

Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, i cili ndodhet në Londër është takuar me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Takimi mes tyre është zhvilluar në prag të Samitit të Komunitetit Politik Europian.

Fotot janë publikuar nga ministrja Elisa Spiropali, e pranishme gjithashtu në Mbretërinë e Bashkuar për Samitin e Komunitetit Politik Europian.

“Blenheim Palace, Mbretëria e Bashkuar! Në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Europian, me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel dhe kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis”, shkruan Spiropali.

Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në samitin e katërt të Komunitetit Politik që po mbahet në Britaninë e Madhe.

Kreu i qeverisë bashkë me homologen italiane Giorgia Meloni do të bashkëdrejtojnë diskutimin qe lidhet drejtpërdrejt me çështjet e emigracionit.

Dy kryeministrat janë përzgjedhur, pasi mes dy vendeve është nënshkruar një marrëveshje që mundëson qëndrimin e përkohshëm të emigranteve të paligjshëm në vendin tonë.

Dy shefat e qeverisë do të tregojnë eksperiencën e tyre dhe do të zhvillojnë një diskutim edhe me udhëheqës të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian që përballen me emigracionin e paligjshëm.

Rezultatet e bisedimeve do të bëhen publike në mbyllje të samitit përmes një deklarate të përbashkët./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›