E Diel, 1 Nëntor 2026

Sara Kapo gati për skenën e Fest 64: E kam pritur me padurim këtë moment

Festivali i 64-t i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar do të zhvillohet më 17, 18, 19 dhe 20 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, ku 28 artistë do të konkurrojnë për çmimet e këtij edicioni. Mes tyre, këngëtarja Sara Kapo do të ngjitet në skenën e madhe me këngën “Të dua shumë”.

E ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH1, Kapo tregoi se kënga është realizuar duke u futur në rolin e një personazhi që përjeton dashuri të njëanshme.

“Gjatë krijimit të kësaj kënge kam  treguar se doja të isha një personazh, një personazh të çmendur e cila kupton që dashuria që po jep nuk po i kthehet mbrapsht dhe kjo fillon avash të çmendet. Ishte shumë e thjeshtë të fusja veten në një personazh se sa të krijoja diçka që ishte shumë personale. Unë dua shumë njerëz por si në këngë nuk asnjeri. Këngën e kemi mbaruar që në shtator kur ishin dorëzimet por këtë vit ngaqë më pëlqen shumë kënga mezi po prisja të dilte.  Provat kanë ecur shumë mirë”, u shpreh këngëtarja.

Ajo komentoi edhe reagimet e publikut, duke theksuar se nuk i pëlqejnë komplimentet që vijnë duke ulur elementë të tjerë të muzikës.

“Ndonjëherë njerëzit përpiqen të bëjnë komplimente duke ulur diçka tjetër dhe unë këto lloj komplimentesh nuk i kam shumë qejf. Ne si popull e kemi qejf çiftelinë apo folkun dhe nuk ka asgjë të keqe. Unë mendoj se kënga do ti pëlqejë kujt do ti pëlqejë., nuk po përpiqem që ti imponohem . Kjo këngë është bërë shumë natyrshëm dhe është bërë për festivalin dhe fakti që është pritur kaq mirë nga njerëzit unë nuk e prisja fare. Shpresoj të vazhdojnë edhe pas festivalit, më pëlqen që i bëjnë komente, i kanë bërë share, i përdorin tek videot e tyre dhe e vlerësoj shumë”, tha Kapo.

Publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë live performancat e 28 këngëtarëve gjatë netëve të Fest 64.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›