Dhjetori festiv në RTSH/ Program i pasur për fëmijët, familjen dhe surpriza në fundvit, Anduena Manushi: Ringjallim lidhjen e fortë mes publikut dhe televizionit publik

Dhjetori festiv në RTSH sjell një programacion të pasur dhe të larmishëm për të gjithë qytetarët, duke përfshirë emisione festive për fëmijët, seriale, filma, programe kulturore, sportive, si dhe spektaklin madhështor të fundvitit.
Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Drejtuesja e Njësisë së Programeve në RTSH, Anduena Manushi, ndau disa nga surprizat që i presin qytetarët gjatë këtij muaji festiv, ku në fokus do të jenë transmetime speciale për Ditën e Krishtlindjes dhe aktivitetet që zhvillohen në këtë ditë të shënuar. Përveç programeve tradicionale, për fundvit do të jetë edhe një përmbledhje nostalgjike e humorit dhe këngëve më të mira ndër vite të programacionit të RTSH.
Eventin special “Këngët dhe Skeçet më të Bukura në Vite”, Manushi e cilësoi si dhuratën më të bukur të fundvitit si dhe një ringjallje të lidhjes së fortë që publiku ka me televizionin publik.
“Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për këtë periudhë feste dhe gëzimi, duke përgatitur një programacion të madh që RTSH ofron çdo vit. Programacioni i ditëve të para do të vijojë me emocione dhe programe të ndryshme, transmetime speciale për festat e fundvitit dhe Ditën e Krishtlindjes, ku do të jemi drejtpërdrejt me të gjitha aktivitetet që zhvillohen në këtë ditë të shënuar. Do të bëhet një përmbledhje e arkivit të RTSH-së me momentet më të mira të humorit, këngës dhe festivaleve të organizuara gjatë natës së ndërrimit të viteve, për të rikujtuar nostalgjinë dhe lidhjen e fortë që qytetarët kanë me televizionin publik. Në kuadër të festimeve të fundvitit, RTSH po përgatit një program të veçantë për publikun shqiptar: një përmbledhje festive me këngët, performancat dhe skeçet më të dashura, të cilat kanë shënuar ekranin ndër vite dhe janë kthyer në pjesë të kujtimeve kolektive. Programi synon të krijojë një atmosferë të ngrohtë familjare, duke rikthyer emocione, nostalgji dhe humorin e viteve më të bukura të televizionit shqiptar”, tha Manushi.
Gjithashtu, Drejtuesja e Njësisë së Programeve në RTSH, Anduena Manushi, ndau edhe lajmin për “Paketën e Filmave të Krishtlindjeve në RTSH”, ku tha se televizioni publik do të jetë ekrani që bashkon familjet në fundvit me magjinë e festave dhe vlerat për miqësinë dhe familjen.
“RTSH ka nisur gjithashtu një projekt inovator me filma shqiptarë të restauruar, një sipërmarrje që ka kërkuar kohë dhe përkushtim, por që ka rezultuar shumë e suksesshme. Janë përzgjedhur edhe seriale dhe paketa me filma familjarë me tema festive dhe edukative, ku historia dhe vlerat e Krishtlindjeve theksojnë triumfin e së mirës dhe rëndësinë e dashurisë”, tha Manushi.
Një program special për fëmijë me titull “Ja na erdhi Viti i Ri” që do të transmetohet më 31 dhjetor nga ora 18:00-20:00 është gjithashtu pjesë e surprizave. Manushi zbuloi se do të ketë interpretime artistike nga fëmijë nga e gjithë Shqipëria.
“Emisionet do të vazhdojnë me Festivalin e Këngës, festivalet për të rinjtë, si dhe me sportin, përfshirë Kampionatin Shqiptar të Futbollit (Abissnet Superiore) dhe Kampionatin Botëror të Skive. Festat e fundvitit do të jenë më të organizuara se kurrë, duke vazhduar natën e ndërrimit të viteve dhe më 1 dhe 2 janar. Do të jetë një spektakël madhështor me surpriza të shumta.
Programi festiv “Ja na erdhi Viti i Ri” do t’i dedikohet fëmijëve, ku do të ketë këngë, kërcim dhe argëtim. Përveç pjesës artistike, do të ketë edhe momentin magjik me Babagjyshin, i cili do të japë mesazhet e tij, të lidhura me interpretime artistike nga fëmijë nga e gjithë Shqipëria. Ky program do të transmetohet më 31 dhjetor nga ora 18:00-20:00”, u shpreh Manushi.
Programacioni festiv i RTSH-së premton një muaj plot emocione, argëtim dhe surpriza për të gjitha moshat, duke ruajtur traditën dhe magjinë e festave në ekranin e shqiptarëve.
/rtsh.al/