E Hënë, 2 Nëntor 2026

Schieder: Shqipëria, vend pararojë në procesin e integrimit evropian

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, vlerësoi sot progresin e dukshëm që ka bërë Shqipëria në procesin e integrimit evropian dhe rolin aktiv të saj si një vend pararojë në këtë rrugëtim.

“Komisioni Europian e ka quajtur Shqipërinë një pararojë të proceseve dhe kjo është e vërtetë”, deklaroi ai gjatë takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, që nisi punimet dyditore në Tiranë.

Schieder tha se është dëshmitar i zhvillimeve të shumta që kanë ndodhur në vend ndër vite dhe se përmirësimet në standardin e jetesës dhe zhvillimi janë të dukshme në çdo cep të Tiranës e më gjerë.

“Zhvillimet që kemi parë në këto vite janë të prekshme dhe të rëndësishme, por zgjerimi evropian nuk ka të bëjë vetëm me hapjen e kapitujve, por mbi të gjitha me zbatimin e tyre në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Schieder.

Sipas tij, anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces i gjatë dhe angazhues, që kërkon jo vetëm përafrim ligjor dhe institucional, por edhe ndryshim të përgjithshëm shoqëror.

“Pasi në fund, integrimi në BE, nuk ka të bëjë vetëm me politikën, por me jetën e përditshme të qytetarëve”, theksoi ai.

Schieder kujtoi gjithashtu se në gjysmën e parë të këtij viti kishte nderin të paraqiste raportin e tij për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, i cili u miratua me një shumicë të gjerë votash.

“Kjo nuk është puna e raportuesit, por rezultati i situatës reale në Shqipëri dhe i progresit që vendi ka arritur” u shpreh ai, duke shtuar se viti i ardhshëm do të sjellë një raport të ri që do të pasqyrojë më tej arritjet dhe sfidat e këtij procesi.

Në vijim, Schieder ndau edhe përvojën e vendeve të tjera si Austria, Suedia dhe Finlanda, të cilat u bashkuan me Bashkimin Evropian mbi tri dekada më parë, duke theksuar se edhe pse rruga e integrimit mund të duket e gjatë, ajo është thellësisht transformuese për shoqëritë që e përqafojnë.

Ai e cilësoi procesin e anëtarësimit si një nismë që duhet të mbështetet në një debat të gjerë publik dhe në një angazhim të përbashkët shoqëror.

“Përvoja jonë tregon se integrimi është një proces që forcon demokracinë, shoqërinë civile dhe mirëqenien e qytetarëve. Shqipëria po ecën në këtë drejtim dhe duhet të vazhdojë me të njëjtin përkushtim”, deklaroi Schieder. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›