E Diel, 1 Nëntor 2026

Seancë për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës mes bojkotit të opozitës, kandidatura, dy emra nga Vetëvendosje

Nën presionin e një afati kushtetues që skadon në më pak se dy orë, Kuvendi i Kosovës ka nisur një seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Megjithatë, salla e seancave plenare po përballet me një sfidë serioze numrash, pasi deputetët e partive opozitare kanë zgjedhur të bojkotojnë procesin, duke vënë në rrezik arritjen e kuorumit të nevojshëm për votim.

Në momentin e nisjes së punimeve, në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, një numër i pamjaftueshëm për të nisur procedurën e votimit, e cila kërkon pjesëmarrjen e të paktën 80 ligjvënësve (dy të tretat e Kuvendit) në raundin e parë dhe të dytë.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka hapur seancën me një thirrje drejtuar ligjvënësve që ndodhen jashtë sallës, duke u kujtuar atyre detyrimet që rrjedhin nga Kushtetuta e vendit.

“Ju njoftoj se unë nuk kam marrë asnjë njoftim për deputetët të cilët sot nuk janë të pranishëm, për arsyet pse ata mungojnë,” deklaroi Haxhiu.

Ajo theksoi më tej se, bazuar në aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e kanë obligim institucional dhe ligjor të marrin pjesë në seancat për zgjedhjen e Presidentit, për të shmangur bllokimin e institucioneve.

Kandidaturat, dy emra nga Lëvizja Vetëvendosje

Në mungesë të propozimeve nga grupet e tjera parlamentare, gara për postin e të parit të shtetit do të zhvillohet mes dy figurave të nominuara nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të cilat plotësojnë kushtin kushtetues për të pasur më shumë se një kandidat në fletëvotim.

Glauk Konjufca

Kandidatura e tij u prezantua zyrtarisht nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, e cila paraqiti para deputetëve të pranishëm biografinë dhe rrugëtimin e tij politik.

Fatmire Mulhaxha Kollçaku

Kandidatura e dytë u prezantua nga deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, duke plotësuar kështu kërkesat procedurale për të nisur garën presidenciale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›