Seferi: Koordinim ndërinstitucional për avancimin e strategjisë kombëtare për barazinë gjinore

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS) zhvilloi takime konsultuese me Rrjetin e Nëpunësve për Barazinë Gjinore në nivel qendror, përfaqësues të institucioneve të pavarura dhe organizata të shoqërisë civile, në kuadër të procesit të vlerësimit afatmesëm të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030, për periudhën 2021–2025.
Ky proces synon të analizojë progresin e arritur në zbatimin e objektivave strategjikë, të evidentojë sfidat dhe të përcaktojë masat e nevojshme për përmirësimin e mëtejshëm të politikave dhe mekanizmave institucionalë në funksion të avancimit të barazisë gjinore në vend.
Takimet u fokusuan gjithashtu në përgatitjen e Raportimit Vullnetar të Shqipërisë në sesionin e 70-të të Commission on the Status of Women (CSW70), forum kyç ndërkombëtar për promovimin e të drejtave të grave dhe fuqizimin e tyre në nivel global.
Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi theksoi në fjalën e saj progresin e arritur në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore, si dhe nevojën për forcimin e koordinimit ndërinstitucional për të garantuar një qasje të integruar dhe efektive.
Ajo vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve publike, organeve të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile, duke theksuar se përfshirja e të gjitha palëve të interesuara është thelbësore për adresimin e sfidave ekzistuese dhe për arritjen e objektivave të përcaktuara deri në vitin 2030.
Procesi i vlerësimit afatmesëm të Strategjisë dhe përgatitja e kontributeve për CSW70 realizohet me mbështetje dhe asistencë teknike nga UN Women, në kuadër të partneritetit për forcimin e politikave dhe mekanizmave për barazinë gjinore në Shqipëri.
MSHMS bëri të ditur se rezultatet e këtij procesi do të shërbejnë për përditësimin e prioriteteve dhe për forcimin e masave konkrete në funksion të garantimit të të drejtave të grave dhe vajzave, si dhe për përmbushjen e angazhimeve kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë në fushën e barazisë gjinore.
1 nga 3/e.xh/r.e/