Sejko: Ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme, inflacioni u rrit në 2,9%

TIRANË, 1 korrik/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit gjatë tremujorëve në vijim, ndërsa inflacioni pritet të rritet lehtësisht mbi objektiv në gjysmën e dytë të vitit dhe të kthehet gradualisht drejt tij në periudhën vijuese.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori sot në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.
Sejko u shpreh se inflacioni i çmimeve të konsumit ka shënuar rritje në tremujorin e dytë, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, ndërsa ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në gjysmën e parë të vitit dhe tregjet financiare janë shfaqur të qeta.
Po ashtu Guvernatori i BSH-së nënvizoi se këto parashikime vijojnë të kushtëzohen nga supozimi se tensionet gjeopolitike do të reduktohen gradualisht dhe çmimi i naftës do të normalizohet në të ardhmen.
“Megjithatë, balanca e rreziqeve mbetet në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një nivel mesatar prej 2,9% në muajt prill-maj, duke regjistruar rritje nga vlera mesatare prej 2,5% e tremujorit paraardhës”, theksoi ai.
Në ngjashmëri me ecurinë e inflacionit në tregjet botërore, evropiane dhe rajonale, kjo ecuri, sipas Sejkos, u diktua në masën më të madhe nga rritja e çmimeve të karburanteve.
Ndërkohë, paralelisht me të, rritja e inflacionit pasqyroi edhe rritjen e çmimit të ushqimeve të papërpunuara dhe të disa artikujve të shërbimeve, të cilët kanë një peshë të madhe të naftës në strukturën e kostove të tyre. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimit të qirave shënoi rënie, ndërsa ai i artikujve të tjerë të shportës pati një ecuri më të stabilizuar.
“Rritja e inflacionit në tremujorin e dytë ishte në përputhje me pritjet tona dhe pasqyron efektet direkte dhe indirekte të goditjes së ofertës në tregjet botërore. Këto efekte kanë sjellë rritjen e shpejtë të inflacionit të importuar dhe të atij jobazë. Nga ana tjetër, ecuria relativisht e balancuar e kërkesës dhe ofertës agregate, efekti frenues në inflacion i forcimit të kursit të këmbimit, si dhe pritjet e ankoruara për inflacionin, vijojnë të ruajnë inflacionin bazë dhe atë total pranë objektivit”, u shpreh Sejko.
Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it, Sejko theksoi se vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3,7% gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.
“Zgjerimi i tij u mbështet nga rritja e konsumit familjar, e investimeve private, si dhe e eksportit të mallrave e shërbimeve, ndërkohë që politika fiskale ruajti natyrën e saj konsoliduese. Në aspektin sektorial, rritja ekonomike vijoi të udhëhiqet nga zgjerimi i aktivitetit në sektorët e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërsa sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë vijuan të tkurren. Informacioni i disponuar sugjeron për ritme dhe strukturë të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të dytë”, shtoi ai.
Po ashtu, rritja e kërkesës për mallra e shërbime është pasqyruar në përmirësimin e mëtejshëm të treguesve të tregut të punës.
“Sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 2,2% në tremujorin e parë, paga mesatare në sektorin privat u rrit me 11,5%, ndërsa papunësia mbeti në nivelin 8,4%. Rritja e shpejtë e punësimit dhe e pagave në sektorin privat jobujqësor vijon të sinjalizojë praninë e disbalancave midis kërkesës dhe ofertës në tregun e punës. Këto disbalanca nuk janë transmetuar ende në rritje të kostove të prodhimit dhe inflacionit të çmimeve të konsumit, si pasojë e absorbimit të tyre pjesërisht nga rritja e produktivitetit dhe pjesërisht nga rënia e marzheve të fitimit për njësi. Megjithatë, ecuria e tyre në të ardhmen vijon të mbetet një faktor rreziku mbi inflacion”, tha Sejko
Përtej inflacionit, Sejko nënvizoi se zhvillimet ekonomike të gjysmës së parë të vitit vijojnë të tregojnë përmirësim edhe të treguesve të tjerë të stabilitetit ekonomik e financiar të vendit.
Sipas tij, borxhi i huaj dhe ai publik kanë ardhur në rënie, bilancet financiare të bizneseve dhe familjeve janë të shëndosha e likuide, sektori bankar paraqitet solid dhe rezistent ndaj goditjeve, ndërkohë që tregjet financiare shfaqen të qeta dhe kushtet financiare vijojnë të mbeten stimuluese.
“Kjo tablo pasqyron, ndër të tjera, edhe kontributin e politikës sonë monetare. Reagimi në kohë dhe konsistent ndaj zhvillimeve në inflacion ka bërë të mundur ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, kontrollin e pritjeve për inflacionin, funksionimin e qetë të tregjeve financiare, frenimin e shpejtësisë së forcimit të kursit të këmbimit, si dhe përmirësimin e kushteve të financimit”, u shpreh Sejko.
Për rrjedhojë, Sejko theksoi se tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, norma të ulëta interesi, si dhe një përqasje pozitive ndaj kreditimit.
“Kushtet e favorshme financiare janë pasqyruar në zgjerimin e shpejtë dhe me bazë të gjerë të kredisë për sektorin privat. Portofoli i kredisë shënoi një rritje vjetore prej 13.8% gjatë muajit maj, duke vijuar të shfaqë tregues të mirë cilësie, rritje graduale të peshës së kredisë në Lek, dhe orientim drejt financimit të projekteve të investimit të bizneseve dhe blerjes së banesave për familjet. Në këtë mënyrë, rritja e kredisë bankare ka vijuar të mbështesë zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të sektorit privat, duke dhënë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike”, shtoi ai.
Sejko nënvizoi se përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë sugjeron se goditja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare do të sjellë një rritje të lehtë të inflacionit mbi objektiv gjatë tremujorëve në vijim.
Megjithatë, sipas tij, kjo rritje pritet të jetë kalimtare; me përfundimin e efektit direkt të goditjes dhe kontrollin e efekteve indirekte të saj, inflacioni pritet të zbresë gradualisht drejt objektivit në afatin e mesëm. Po ashtu, ekonomia shqiptare pritet të ruajë ritme pozitive rritjeje gjatë viteve në vijim, të përafërta me vlerësimet tona për potencialin e zgjerimit të aktivitetit ekonomik.
/m.m/r.e/a.f/