Sejko raporton në Kuvend: Inflacioni mbeti pranë objektivit, forcimi i lekut erdhi nga turizmi dhe investimet e huaja

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, raportoi në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku paraqiti ecurinë e politikës monetare dhe zhvillimet kryesore ekonomike në vend.
Në fjalën e tij, Sejko theksoi se politika monetare gjatë kësaj periudhe është udhëhequr nga të dhënat ekonomike dhe nga objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
“Politika monetare gjatë kësaj periudhe është udhëhequr nga të dhënat dhe nga objektivi ynë kryesor: ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Ajo ka qenë një politikë e kujdesshme, fleksibël, e bazuar në të dhëna dhe brenda mandatit tonë ligjor,” u shpreh Guvernatori.
Sipas tij, inflacioni regjistroi një mesatare prej 2.2% gjatë vitit 2025, duke mbetur pranë objektivit prej 3%, ndërsa parashikimet tregojnë se ai do të vijojë të mbetet i qëndrueshëm edhe në periudhën në vijim.
Sejko u ndal edhe te kursi i këmbimit, duke theksuar se Banka e Shqipërisë mbështet regjimin e lirë të tij dhe se forcimi i lekut është ndikuar nga rritja e të ardhurave nga turizmi, remitancat, investimet e huaja dhe përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë.
Guvernatori sqaroi se ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor nuk kanë pasur si synim mbajtjen e kursit të këmbimit në një nivel të caktuar, por vetëm zbutjen e luhatjeve të shpejta dhe shmangien e rreziqeve për stabilitetin monetar dhe financiar.
“Në çdo rast, qëllimi ynë ka qenë i njëjtë: më shumë stabilitet, më shumë siguri dhe më shumë qartësi për qytetarët, bizneset dhe tregjet,” deklaroi ai.
/rtsh.al/