Përfundon legalizimi i një pallati 8-katësh në Sarandë

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka përfunduar procesin e legalizimit të një pallati 8-katësh në qytetin e Sarandës, i ndërtuar në vitin 2010, duke u mundësuar përfituesve të vijojnë procedurat për regjistrimin e pronës.
Sipas ASHK-së, pas verifikimeve në terren dhe procedurave administrative të kryera nga specialistët e institucionit, janë legalizuar të gjitha apartamentet dhe njësitë e shërbimit të objektit, ndërsa përfituesit janë pajisur me vendimet përkatëse të legalizimit.
Kadastra bën të ditur se, pas kalimit të afatit 30-ditor nga marrja e vendimit të legalizimit, qytetarët mund të aplikojnë në portalin e-Albania për regjistrimin e vendimit dhe pajisjen me certifikatën e pronësisë, hartën kadastrale dhe kartelën e pasurisë.
ASHK thekson se vijimi i proceseve të legalizimit synon garantimin e sigurisë juridike mbi pronën dhe lehtësimin e aksesit të qytetarëve në shërbimet e regjistrimit të pasurive.
/e.xh/j.p/