Sejko takim me FMN-në në SHBA: Ekonomia shqiptare ka pësuar rritje në 2 vitet e fundit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka marrë pjesë në datat 16 – 18 tetor në mbledhjet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të zhvilluara në Uashington DC, SHBA.
Në këto takime të nivelit të lartë u diskutuan zhvillimet e ekonomisë globale, ndërsa Sejko zhvilloi takime me figura kyçe të FMN-së dhe BB-së, ku prezantoi qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, me rritje mesatare të PBB-së 3.5%, inflacion të ulët pranë 3%, dhe papunësi në nivele minimale
Sejkoi theksoi politikat e kujdesshme makroekonomike, konsolidimin fiskal, dhe politikat monetare lehtësuese për stabilitetin e çmimeve.
Guvernatori vuri në dukje rolin e turizmit dhe konsumit privat si motorë të rritjes, si dhe perspektivën për rritje të qëndrueshme ekonomike deri në 2026, pavarësisht rreziqeve nga faktorë të jashtëm si ngadalësimi ekonomik global apo tensionet gjeopolitike.
Integrimi në BE dhe plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor u cilësuan si mundësi pozitive. Një arritje është konsideruar edhe anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA në 2024, duke mundësuar pagesat e para në tregun unik evropian nga 7 tetori 2025.
“Pavarësisht sfidave, ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri dhe rritje në dy vitet e fundit, me një normë mesatare rritjeje të PBB-së prej rreth 3.5% në vit. Inflacioni ka qëndruar i ulët dhe i qëndrueshëm pranë objektivit prej 3%, ndërsa tregu i punës ka shënuar një papunësi në nivele historikisht të ulëta dhe rritje të pagave.
Guvernatori vuri në dukje se politikat makroekonomike kanë qenë të kujdesshme dhe të koordinuara: politika fiskale ka vijuar të jetë e konsoliduar, duke zvogëluar borxhin publik; ajo monetare ka qenë lehtësuese, me qëllim mbajtjen e pritshmërive të inflacionit të ankoruara; si dhe politika makroprudenciale ka synuar parandalimin e rreziqeve në sektorin bankar dhe tregun e pasurive të patundshme”, theksohet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë, rolin e Bankës së Shqipërisë, dhe regjimin e lirë të kursit të këmbimit për përthithjen e goditjeve të jashtme.
Ata përgëzuan gjithashtu përparimin drejt integrimit evropian dhe nevojën për reforma strukturore.
Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së dakortësuan lidhur me vazhdimin e bashkëpunimit midis institucioneve dhe vijimit të ofrimit të asistencës teknike në të ardhmen në fusha si mbikëqyrja bankare, sistemet e pagesave, aspektet ligjore etj.
“Gjatë qëndrimit në Uashington, delegacioni pati rastin të zhvillojë dhe takime me homologë nga vende të ndryshme, ku u diskutua mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, me qëllim thithjen e asistencës teknike për çështje specifike.
Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e BSH-së morën pjesë në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar e Financiar të FMN-së, si dhe në seancën plenare të Mbledhjeve Vjetore të FMN-BB. Guvernatori Sejko ishte gjithashtu i ftuar në një mëngjes pune me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore, të organizuar nga Drejtori i Departamentit Evropian pranë FMN-së, z. Alfred Kammer, gjatë të cilit ai prezantoi zhvillimet makroekonomike në Shqipëri, sektorët kryesorë të zhvillimit, si dhe potencialin që vendi paraqet për investitorët e huaj”, theksohet më tej në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
/rtsh.al/