E Diel, 1 Nëntor 2026

Senatorja amerikane Joni Ernst viziton Kosovën, takohet me Haxhiun dhe komandantin e KFOR-it

PRISHTINË, 11 gusht/ATSH/ Senatorja republikane amerikane, Joni Ernst po qëndron për vizitë në Kosovë, ku gjatë së martës është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutas.

Haxhiu ka bërë të ditur se në takimin me senatoren nga shteti i Ajovës kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu e ka cilësuar Ernstin si “mike të dëshmuar të Kosovës” dhe një zë të rëndësishëm në mbështetje të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Haxhiu njoftoi gjithashtu se e ka dekoruar senatoren amerikane me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e saj në fuqizimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Ernst, e cila është anëtare e Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Senatit amerikan, gjatë vizitës në Kosovë është takuar edhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutas.

KFOR-i bëri të ditur se takimi është zhvilluar në selinë e misionit të NATO-s në Kosovë, në Camp Film City në Prishtinë, por nuk dha detaje lidhur me temat e diskutuara.

Vizita e senatores amerikane zhvillohet në një periudhë të ndjeshme politike në Kosovë, në kohën kur vendi po përballet me ngërç institucional pas dështimit të konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të qershorit.

Deri në publikimin e këtij lajmi, Ernst nuk ka bërë deklarata publike lidhur me përmbajtjen e takimeve të saj në Kosovë.

Ambasada amerikane në Prishtinë kishte njoftuar më herët për vizitën e senatores në Kosovë.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›