E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët e Bosnjës votojnë për presidentin e ri, dy kandidatë favoritë për të pasuar në detyrë Dodikun

Rreth 1.2 milionë shtetas me të drejtë vote u janë drejtuar sot qendrave të votimit në Republikën Srpska për të zgjedhur presidentin e ri, i cili do të pasojë në detyrë Milorad Dodikun.

Entiteti i serbëve të Bosnjës shkoi në zgjedhje të parakohshme pas shkarkimit të Dodikut, i cili u dënua për moszbatim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili mbikëqyr zbatimin e  Marrëveshjes së Dejtonit të ndërmjetësuar nga SHBA, që i dha fund luftës së viteve 1992-1995. Votuesit kanë të drejtë  të zgjedhin mes gjashtë kandidatëve, por dy prej tyre konsiderohen favoritë kryesorë.

Nga partia e Dodik, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, është Sinisa Karan, ish-ministër i Brendshëm dhe aleati i ngushtë ish-presidentit të Republikës Srpska. Ndërsa Grupi kryesor i opozitës, Partia Demokratike Serbe ka zgjedhur 56-vjeçarin Branko Blanusa. Ky i fundit ka akuzuar vazhdimisht Dodikun për korrupsion dhe se po rrezikon funksionimin e entitetit serb të Bosnjes.

Fituesi i zgjedhjeve të parakohshme do të mund të shërbejë për më pak se një vit, pasi zgjedhjet e përgjithshme mbahen në tetor të vitit të ardhshëm.  Zgjedhjet për presidentin e Republikës Srpska shihen si provë vendimtare e mbështetjes për partinë nacionaliste të Dodikut, e cila është në pushtet për gati dy dekada.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›