E Diel, 1 Nëntor 2026

GJENEVË – Zyrtarët amerikanë, ukrainas dhe evropianë nisin bisedimet për planin e Trump për t’i dhënë fund luftës

GJENEVË, 23 nëntor /ATSH/- Zyrtarë nga Evropa, SHBA-ja dhe Ukraina u mblodhën sot në Gjenevë për të diskutuar një draft plan të paraqitur nga Uashingtoni për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pasi Kievi dhe aleatët e tij shprehën shqetësim për lëshimet e mëdha territoriale ndaj Rusisë, sipas “Reuters”.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha të premten se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy kishte kohë deri të enjten për të miratuar planin prej 28-pikësh – i cili i bën thirrje Ukrainës të lëshojë territor, të pranojë kufizime në ushtrinë e saj dhe të heqë dorë nga ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n.

Për shumë ukrainas, përfshirë ushtarët që luftojnë në vijat e frontit, kushte të tilla do të përbënin kapitullim pas gati katër vitesh luftimesh në konfliktin më vdekjeprurës të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

Që kur plani u njoftua, ka pasur konfuzion të konsiderueshëm rreth asaj se kush ishte i përfshirë në hartimin e tij. Aleatët evropianë thanë se nuk ishin konsultuar.

Zyrtarët e lartë mbërrijnë në Gjenevë

Një zyrtar amerikan tha se i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio kishin mbërritur sot për bisedimet mbi përfundimin e pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.

“Shpresojmë të sqarojmë detajet përfundimtare… për të hartuar një marrëveshje që është e dobishme për Ukrainën”, tha një zyrtar amerikan.

Përpara se Rubio të udhëtonte për në Gjenevë, Trump tha se propozimi i tij aktual për përfundimin e luftës nuk është propozimi i tij përfundimtar.

Një zyrtar amerikan tha se do të kishte takime koordinuese sot në mëngjes përpara se bisedimet të fillonin seriozisht në Gjenevë.

Zyrtari shtoi se do të ishte një ditë të plotë bisedimesh në formate të ndryshme midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas.

“Përpara takimit të Gjenevës, pati gjithashtu bisedime pozitive dhe konstruktive midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas”, tha zyrtari.

Evropianët hartojnë planin e bazuar në propozimin e SHBA-së

Sekretari i Ushtrisë Amerikane, Daniel Driscoll, ishte gjithashtu në Gjenevë për bisedime, ndërsa delegacioni i Ukrainës udhëhiqet nga kreu i zyrës së Zelenski, Andriy Yermak.

Këshilltarët e sigurisë kombëtare nga aleanca E3 e Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë po bashkohen në diskutime, së bashku me Bashkimin Evropian.

Italia gjithashtu ka dërguar një zyrtar. Kryeministri kanadez Mark Carney tha se do të fliste me Zelensky më vonë në lidhje me planin e paqes.

Udhëheqësit evropianë dhe zyrtarë të tjerë perëndimorë thanë dje se plani i paqes i SHBA-së, i cili mbështet kërkesat kryesore ruse, ishte një bazë për bisedime për t’i dhënë fund luftës, por kishte nevojë për “punë shtesë”, pasi ata kërkojnë një marrëveshje më të mirë për Kievin para afatit të së enjtes.

Një burim nga qeveria gjermane tha se drafti i planit evropian të paqes, i cili bazohet në propozimin e SHBA-së, ishte dërguar në Ukrainë dhe në Shtëpinë e Bardhë.

Përpara bisedimeve, Zelensky paralajmëroi se Ukraina rrezikonte të humbiste dinjitetin dhe lirinë e saj – ose mbështetjen e Uashingtonit – për shkak të planit.

Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi planin si bazën e një zgjidhjeje për konfliktin, por Moska mund të kundërshtojë disa propozime në skemë, e cila kërkon që forcat e saj të tërhiqen nga disa zona që kanë pushtuar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›