Sezoni i produkteve vendore – Zgjedhja kryesore në tregun agro-ushqimor të Kukësit

Në tregun agro-ushqimor të Kukësit, produktet vendore po zënë gjithnjë e më shumë vendin kryesor në shportën e konsumatorëve. Ndër më të kërkuarat janë lakra, patatja dhe perime të tjera të sezonit, të cilat blihen në sasi më të mëdha për t’u ruajtur dhe përdorur gjatë gjithë dimrit.
Blerësit shprehen se preferojnë prodhimet vendore për shkak të cilësisë. Sipas tyre, çmimet aktualisht mbeten të arsyeshme dhe nuk kanë pësuar rritje të ndjeshme, pavarësisht luhatjeve të zakonshme sezonale.
“Çmimet janë të arsyeshme”, u shpreh një qytetar.
Nga ana tjetër, shitësit që sjellin produktet nga fshatrat përreth Kukësit thonë se kërkesa nga konsumatorët ka qenë e vazhdueshme. Ata theksojnë se shumica e konsumatorëve kërkojnë produkte bio dhe të papërpunuara kimikisht.
Tregu agro-ushqimor i Kukësit, përveçse një pikë furnizimi për qytetarët, është gjithashtu një burim të ardhurash për fermerët e zonave rurale, të cilët e shohin këtë treg si një mundësi reale për të shitur drejtpërdrejt prodhimet e tyre.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/