E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni veror, kontrolle të vazhdueshme në pishinat e Korçës. Specialisti: Cilësia e ujit rezulton sipas standardeve

Me rritjen e temperaturave, pishinat janë kthyer në një nga ambientet më të frekuentuara, veçanërisht nga fëmijët. Për këtë arsye, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Korçë po kryen monitorime të vazhdueshme të cilësisë së ujit, për të garantuar sigurinë e të gjithë frekuentuesve. Deri tani janë kontrolluar gjashtë pishina dhe analizat kanë treguar se uji në të gjitha rastet rezulton brenda normave të lejuara.

Kontrollet përfshijnë analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike të ujit, si edhe verifikimin e respektimit të kushteve higjieno-sanitare. Specialistët theksojnë se kujdesi është veçanërisht i rëndësishëm për fëmijët, të cilët janë përdoruesit më të shumtë të pishinave gjatë sezonit veror.

“Në kuadër të sezonit turistik nga ana e njësisë vendore të kujdesit shëndetësor ka filluar monitorimi i zonave turistike. Gjithashtu në kuadër të këtij sezoni ka filluar dhe monitorimi i pishinave publike të hapura. Aktualisht në rrethin e Korçës operojnë gjashtë pishina. Kemi bërë monitorimet tona duke kontrolluar cilësinë e ujit që përdorin këto pishina, kryesisht për temperaturën, për ph-in dhe për klorin e lirë mbetës që përdorin në pishina. Nga monitorimet e kryera mund të themi që situata është normale”, deklaroi Nikolla Minga, Specialist i Shëndetit Mjedisor.

Vetë fëmijët shprehen se pishina është vendi ku kalojnë një pjesë të mirë të pushimeve verore. Ata tregojnë se argëtohen me lojërat në ujë dhe e shijojnë kohën me shokët, duke e konsideruar pishinën një nga aktivitetet e tyre të preferuara gjatë verës.

Monitorimi i pishinave do të vijojë gjatë gjithë sezonit veror në mënyrë që pushuesit, të kenë një mjedis të sigurt për t’u argëtuar.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›