Plagosja e 35-vjeçarit në Pogradec, zbardhet ngjarja. Dy persona në pranga, dy në kërkim

Policia e Pogradecit ka zbardhur rrethanat e ngjarjes së djeshme, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 35-vjeçar.
Blutë kanë identifikuar katër autorët e dyshuar. Dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Njëri nga autorët kryesorë u vu në pranga vetëm pak minuta pas ngjarjes, në Përrenjas.
Në pranga ranë shtetasit N. A., 24 vjeç, banues në fshatin Buçimas, dhe D. P., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Pogradec. Ndërsa në kërkim u shpallën M. B., 40 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Pogradec, dhe E. A., 22 vjeç, banues në fshatin Buçimas.
Sipas njoftimit të policisë, katër të dyshuarit dyshohet se organizuan sulmin ndaj 35-vjeçarit për shkak të konflikteve të mëparshme me të. Ata e qëlluan me armë zjarri teksa ai ndodhej brenda automjetit të tij, të parkuar në lagjen nr. 3 të Pogradecit.
“Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, për shkak të konflikteve të mëparshme me shtetasin B. S., 35 vjeç, kanë tentuar ta vrasin atë duke e qëlluar me armë zjarri, gjatë kohës që ai ndodhej në automjetin e tij, të parkuar në lagjen nr. 3, Pogradec. Njëri prej autorëve kryesorë u lokalizua dhe u arrestua vetëm pak minuta pas ngjarjes, si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe ndjekjes së pandërprerë nga shërbimet e Policisë. Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 3 automjete dhe 6 aparate celularë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, 35-vjeçari vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
/rtsh.al/