E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfida me Izraelin, Maran: Dua një skuadër agresive me mentalitet fituesi

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Trajneri i Kombëtares kuqezi Rolando Maran, gjatë konferencës për mediet sot, në prag të ndeshjes miqësore me Izraelin, që do të luhet nesër në mbrëmje në Tiranë, deklaroi se objektivi është që skuadra të ketë vetëbesim dhe të jetë ajo që kontrollon lojën.

Sipas Maranit, ekipi duhet të ketë mentalitet fituesi. Për këtë arsye, në fushë duhet të jetë Shqipëria ajo që kontrollon lojën dhe fatin e ndeshjes. Ai theksoi se kjo duhet të jetë një moto që duhet ta shoqërojë skuadrën në të gjitha sfidat.

“Më pëlqen të kem një skuadër agresive, që mban vetë topin dhe që hyn në fushë për të fituar ndeshjen. Sigurisht, kundër Izraelit do të jetë një ndeshje e vështirë. Kërkoj një skuadër me kurajë dhe personalitet në fushë”, tha ai.

Maran theksoi se rezultati është i rëndësishëm, por edhe performanca, ndërsa shtoi se në rast se vijnë të dyja, do të jetë ideale.

“E rëndësishme është mënyra se si do të përkthehet puna e zhvilluar gjatë këtyre ditëve nga lojtarët në fushë. Do të na shërbejnë këto ndeshje, për të mësuar si do të luajmë. Do të shërbejë edhe për të gabuar dhe për të mësuar nga ato gabime.

Rezultati është i rëndësishëm, por edhe performanca është e rëndësishme. Nëse vijnë të dyja, do të ishte më mirë. Gjithmonë ka rëndësi rezultati, edhe pse është miqësore. Gjithmonë kur hyn në fushë si skuadër, hyn për një rezultat pozitiv. Shpresoj ta arrijmë këtë. Do të jetë e vështirë. Por nëse kemi një paraqitje të mirë, do të vijë edhe rezultati.”

Maran theksoi se trajneri duhet t’i përshtatet lojës së lojtarëve të tij. Ai tha se ka provuar disa module.

“Nëse një trajner e konsideron idenë e tij si absolute, nuk evoluon. Futbolli ka ndryshuar, ashtu si dhe lojtarët. Secila skuadër ka cilësitë e veta. Duhet të punosh dhe të fshehësh vështirësitë ndaj kundërshtarëve. Më pëlqen një skuadër agresive dhe ta kemi topin. Ndaj Izraelit do të jetë një ndeshje e vështirë.

Kam provuar disa gjëra, pavarësisht se ka pasur pak kohë. Jemi bazuar te karakteristikat e lojtarëve dhe për të gjetur sa më shumë zgjidhje. Jemi fokusuar edhe te cilësitë e lojtarëve. Në këtë ndeshje, mund të shohim disa ndryshime, por ka pasur shumë pak kohë”, deklaroi Maran.

Shqipëria do të luajë të mërkurën, në orën 20:00, në Tiranë kundër Izraelit, ndërsa tri ditë më vonë, në stadiumin “Air Albania” do të presë Luksemburgun.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›