E Diel, 1 Nëntor 2026

Vokshi: Opozita po përjashtohet nga procesi i integrimit europian

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi reagoi sot pas mbledhjes së Komisionit për Çështjet Europiane, duke akuzuar mazhorancën për përjashtim të opozitës nga procesi i integrimit europian dhe mungesë transparence në zhvillimin e negociatave me Bashkimin Europian.

Në një postim në rrjetet sociale, Vokshi deklaroi se gjatë mbledhjes së komisionit është ndërprerë transmetimi live në momentin kur ajo kërkoi fjalën për procedurë, duke e cilësuar këtë veprim si pjesë të një qasjeje përjashtuese ndaj opozitës.

“Ky nuk është një incident teknik. Është një simptomë e një problemi shumë më të thellë: mungesës së vullnetit të mazhorancës për ta trajtuar opozitën si pjesë legjitime dhe të domosdoshme të procesit të integrimit europian”, tha Vokshi.

Sipas saj, po ndërtohet një proces i mbyllur, hermetik dhe pa transparencë, ku opozita përjashtohet nga informacioni, nga debati dhe nga ushtrimi i funksionit të saj kushtetues të kontrollit parlamentar.

“Synimi është i qartë: të mos bëhet publike ajo që Bashkimi Europian i kërkon realisht qeverisë shqiptare dhe të shmanget çdo llogaridhënie për dështimet dhe mangësitë e evidentuara në procesin e negociatave”, tha Vokshi.

Vokshi theksoi se “integrimi europian është projekti më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë. Ai nuk është pronë e qeverisë dhe as monopol i shumicës parlamentare. Integrimi është një proces kombëtar, që kërkon transparencë, gjithëpërfshirje dhe kontroll demokratik. Pikërisht për këtë arsye, Kuvendi ka një rol të përcaktuar qartë në ligj dhe në standardet europiane. Ne jo vetëm kemi të drejtën, por kemi detyrimin kushtetues të ushtrojmë mbikëqyrjen parlamentare mbi procesin e anëtarësimit”.

Më tej, Vokshi tha se “në vend që të përballet me gjetjet e IBAR, rekomandimet dhe detyrimet që burojnë prej tij, qeveria zgjedh të fshihet pas procedurave formale dhe amendimeve pa përmbajtje. Po aq shqetësues është fakti se angazhimet e marra me Rezolutën për Procesin e Integrimit Europian, të miratuar me konsensus të plotë në Kuvend, vazhdojnë të mbeten vetëm në letër”.

Për këto zhvillime shqetësuese, tha Vokshi, do të informojnë Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë, Komisionin Europian, si dhe ambasadat e vendeve anëtare të BE-së.

“Enkas për këtë shqetësim ka dhe një letër të kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Mcallister, i cili e ka konsideruar të prapranueshme këtë sjellje përjashtuese të mazhorancës. Integrimi europian nuk mund të ndërtohet mbi përjashtimin e opozitës, mungesën e transparencës dhe dobësimin e demokracisë parlamentare”, tha Vokshi.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›