Sfidat e personave me aftësi të kufizuar, kërkojnë rritjen e mbështetjes financiare

Në Shqipëri, personat me aftësi të kufizuara vijojnë të përballen çdo ditë me sfida të shumta, duke nisur nga mungesa e aksesueshmërisë fizike, ndërtimet pa rampa apo ashensorë, barrierat në komunikim dhe pengesat në arsim, deri tek vështirësitë në punësim, shërbimet e pamjaftueshme shëndetësore, paragjykimi dhe diskriminimi.
Por ndër sfidat më të mëdha mbetet mungesa e një asistenti personal, i domosdoshëm për shumë prej tyre në përditshmëri. Darjan Konomi, 42 vjeç, tregon vështirësitë me të cilat përballet që prej lindjes së parakohshme, e cila i ka shkaktuar dëmtime të pjesshme në lëvizjen e dorës së djathtë.
“Kam nevojë për asistencë personale sepse, pavarësisht se lëviz i lirë, nuk arrij të kryej veprimet më të thjeshta. Filxhanin e kafes nuk e mbaj dot. Ka ende shumë për t’u bërë”, tha ai.
Ndërkohë, personat me aftësi të kufizuara që jetojnë vetëm apo kanë prindër të moshuar e kanë edhe më të vështirë të sigurojnë një ndihmës personal.
“Shteti shqiptar ofron një pagesë për ndihmësin personal i cili është i pamjaftueshëm për të punësuar dikë në tregun e hapur të punës. Kjo pagesë varion tek 160 mijë lekë të vjetra dhe paga minimale është 400 mijë lekë. Kështu që është e pamundur që me këtë pagesë ti të mund të punësosh dikë që të të shërbejë për të kryer përditshmërinë tënde. Ne kemi plot situata të personave me aftësi të kufizuara të cikël kanë prindër të moshuar apo janë të vetmuar të cilët me këtë pagesë mund të punësojnë njerëz për të kryer shërbimet më bazike”, tha aktivistja Suela Lala.
Në Ditën ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, theksi vihet në promovimin e të drejtave dhe mirëqenies së tyre./vizionplus.tv