ShBA certifikon 11 ekspertë kompjuterikë nga Shqipëria e Kosova

TIRANË, 30 janar/ATSh/ Përfaqësues të Policisë së Shtetit të Shqipërisë dhe Policisë së Kosovës kanë përfunduar një kurs intensiv pesëditor mbi ekzaminimet kompjuterike të pajisjeve celulare, duke u certifikuar në rikuperimin dhe analizën e avancuar të të dhënave digjitale.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë në një njoftim ka uruar pjesëmarrësit nga Policia e Shtetit dhe Policia e Kosovës për përfundimin me sukses të këtij kursi pesëditor.
Sipas ambasadës, “ky program intensiv, i mbajtur në partneritet me Zyrën tonë Rajonale të Sigurisë dhe Zyrën e Ndihmës për Antiterrorin, mblodhi së bashku njëmbëdhjetë ekspertë të ekzaminimeve kompjuterike për të përvetësuar aftësitë e nevojshme për kryerjen e hetimeve në përputhje me ekspertizën ligjore”.
Ambasada e ShBA-së, cilëson se drejtuesi në detyrë i Zyrës së Sigurisë Rajonale, Jonathan Ellis, ishte i pranishëm për të përgëzuar të diplomuarit dhe për të vlerësuar angazhimin e tyre në fuqizimin e zbatimit të ligjit në hetimet digjitale.
Ky trajnim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve hetimore dhe thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e sigurisë dhe hetimeve digjitale.
/e.i/a.f/r.e/