E Diel, 1 Nëntor 2026

Shiste drogë në lokalin e tij, arrestohet 49-vjeçari në Pogradec, procedimi penal 15-vjeçarit

Policia e Korçës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Veprimtaria”, në kuadër të goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi K. S., 49 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, i cili dyshohet se shiste lëndë narkotike në lokalin e tij.

Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit, të ndodhur në lagjen nr. 1 të Pogradecit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Po ashtu, nisi procedimi penal për një 15-vjeçar, i cili u kap me një sasi të vogël lënde narkotike gjatë kontrollit fizik, të cilën dyshohet se e kishte blerë nga pronari i lokalit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi lënde narkotike, 3 telefona celularë dhe një sasi parash.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›