E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: Tropoja dhe Dukagjini drejt zhvillimit turistik, energjetik dhe infrastrukturor

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Shalsi, gjatë fjalës së tij në seancën e sotme të Kuvendit, u ndal te disa çështje kyçe për qarkun e Kukësit, duke përfshirë Tropojën dhe Dukagjinin, me fokus tek turizmi, infrastruktura rrugore, energjia, shëndetësia dhe bujqësia.

Shalsi theksoi se Tropoja ka njohur një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve gjatë viteve të fundit, duke arritur mbi 200 mijë vizitorë në vit. Ai tha se kjo rritje është rezultat i investimeve të bëra në promovimin e rajonit, zhvillimin e infrastrukturës dhe vizionit të qeverisë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe turistik.

Në fushën e energjisë, deputeti përmendi një projekt të ri eolik me kapacitet 500 megavat, i cili pritet të nxisë zhvillim të qëndrueshëm dhe të hapë mundësi të reja për prodhimin dhe konsumimin e energjisë në Tropojë dhe Dukagjin. Ky projekt do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik rajonal dhe në rritjen e investimeve në sektorët shoqërorë dhe privatë.

Sa i përket infrastrukturës rrugore, Shalsi vuri në dukje rëndësinë e investimeve për lidhjen e Tropojës dhe Dukagjinit. Ai përmendi ndërtimin e një rruge të re që lidh Dukagjinin me Qafën e Agrit, si dhe përmirësimin e rrugëve ekzistuese që lidhen me Lekbibajn dhe Tropojën, duke e konsideruar këtë hap thelbësor për lehtësimin e qarkullimit, lidhjen mes bashkive dhe zhvillimin ekonomik të zonës.

Investimet e tjera në rrugët lokale, si ato të Surrojit dhe Zogajt, tha ai, do të mundësojnë kalueshmëri të sigurt dhe do të krijojnë mundësi për zhvillim dhe investime të reja.

Në sektorin shëndetësor, Shalsi nënvizoi rëndësinë e fondit të miratuar së fundmi për spitalin e Tropojës, pas shumë vitesh pritjeje nga banorët. Para këtij financimi, banorët ishin të detyruar të udhëtonin në Kosovë për vizita mjekësore. Deputeti theksoi se ky investim do të mundësojë akses shëndetësor më të afërt për të gjithë banorët e zonës dhe bëri thirrje për rritjen e numrit të mjekëve në spitalin e Tropojës, për të garantuar shërbime më cilësore dhe të plota.

Shalsi përmendi gjithashtu rëndësinë e mirëmbajtjes së rezervuarëve dhe përfshirjen e 150 fermerëve të rinj në skemat mbështetëse në bujqësi. Ai nënvizoi se këto investime në infrastrukturë, energji, shëndetësi dhe bujqësi janë kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit, rritjen e turizmit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve.

Deputeti u shpreh se këto projekte janë pjesë e një vizioni më të gjerë të qeverisë për zhvillimin ekonomik, turistik dhe social të Tropojës dhe Dukagjinit, duke krijuar mundësi për punësim, investime dhe zhvillim të qëndrueshëm, si dhe duke forcuar lidhjet mes komuniteteve dhe zonave përreth.

/e.xh/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›