E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Shqipëria mbështet ndërhyrjen e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nga foltorja e Kuvendit ritheksoi sot mbështetjen e vendit tonë ndaj operacionit të koordinuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit.

“Qeveria shqiptare e ka bërë të qartë mbështetjen e Shqipërisë ndaj ndërhyrjes së SHBA dhe Izraelit në një sulm parandalues ndaj Iranit”, tha Balla.

Po ashtu, shtoi Balla, “kryeministri Edi Rama ka shprehur solidaritetin e plotë të Shqipërisë me vendet në Gjirin Persik, që janë kthyer në target të regjimit në shkatërrim e sipër në Iran”.

Balla theksoi se, kryeministri Rama ka biseduar sot me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

E po ashtu, vijoi Balla, “ka shprehur solidaritet me popujt vëllezër të Katarit, Emirateve, Bahreinit. Ka pasur sulme edhe në Qipro”, tha Balla, teksa u shpreh se, mirëpret propozimin e opozitës për të pasur një qëndrim si Kuvend.

Më tej, duke e cilësuar “ajatollahu i fundit në Europë”, dënoi veprimet e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe mbështetësve të tij në protestën e 28 shkurtit.

“Ndërkohë që SHBA dhe Izraeli godisnin objektivat e regjimit të ajatollahëve në Iran, “ajatollahu” i fundit në Europë, Sali Berisha, ju urdhëronte ju dhe ata që ju vijnë nga mbrapa, të sulmonit godina”, tha Balla.

“Në atë godinë vetëm Saliu ka qenë brenda, ne as s’e kemi pasur ëndërr të hynim në atë godinë. I vetmi që është ngrohur pranë zjarrit bubulak të familjes së ish-diktatorit është “ajatollahu” juaj”, deklaroi Balla, duke iu drejtuar deputetëve demokratë.

“Nuk ka vend në botë ku protestat e dhunshme udhëhiqen nga një parti politike”, tha ai.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›