E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefi i “Los Angeles 2028”, Casey Wasserman, shet agjencinë mes polemikave për lidhje me Epstein

LOS ANGELES, 14 shkurt /ATSH/ – Casey Wasserman, drejtues i Komitetit Organizativ të Los Angeles 2028 Summer ka vendosur të shesë agjencinë e tij të njohur të menaxhimit të talenteve, në një klimë polemikash publike që lidhen me raportimet për kontakte të mëparshme sociale me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell.

Sipas mediave amerikane, vendimi për shitjen vjen në një moment kur disa figura të njohura të industrisë së argëtimit kanë ndërprerë bashkëpunimin me agjencinë, në reagim ndaj debatit të shtuar publik.

Wasserman, një nga emrat më me ndikim në industrinë e sportit dhe menaxhimit të talenteve në Shtetet e Bashkuara, është përballur me kritika për shkak të lidhjeve sociale të së kaluarës me Epstein, i cili u arrestua në vitin 2019 për akuza federale për trafikim seksual dhe vdiq në paraburgim, si dhe me Maxwell, e cila u dënua në vitin 2021 për rolin e saj në skemën e abuzimeve.

Deri tani nuk ka akuza penale ndaj Wasserman në lidhje me këtë çështje, ndërsa zyra e tij nuk ka dhënë komente të detajuara mbi arsyet e transaksionit. Megjithatë, zhvillimet kanë shtuar presionin publik, veçanërisht në prag të përgatitjeve për Lojërat Olimpike të vitit 2028 në Los Anxhelos.

Analistët e shohin shitjen si një përpjekje për të mbrojtur reputacionin dhe për të shmangur që polemikat të ndikojnë në organizimin e një prej eventeve më të mëdha sportive në botë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›