Shehaj: Vetëm me kandidat jashtë politikës fitojmë Tiranën

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj në një konferencë për shtyp deklaroi sot se zgjedhjet për bashkinë e Tiranës opozita mund t’i fitojë vetëm me një kandidat që do jetë jashtë partive politike.
Shehaj i dërgoi mesazh partisë më të madhe opozitare që të ndajë mendjen nëse është e gatshme të hyjë në një betejë elektorale për të fituar Bashkinë e Tiranës me një emër që të mos jetë nga PD.
Shehaj theksoi se forca politike që ai drejton nuk ka zhvilluar ende negociata me Partinë Demokratike për një kandidat të përbashkët.
Kreu i Partia Mundësia e bëri të qartë në fjalën e tij se nuk do të ulet në asnjë tryezë negociatash me PD-në, nëse paraprakisht nuk merret një vendim që kandidati opozitar të jetë jashtë politikës, i pakorruptuar dhe përbashkues për të gjitha partitë opozitare.
PD, theksoi ai, duhet të kuptojë që opozita ka 12 vite që korr të njëjtin rezultat me humbje për shkak se nuk ka gjetur një kandidat jashtë radhëve të politikës.
Shehaj tha se Partia Mundësia ka disa emra si alternativa që do ta përfaqësojnë shumë mirë opozitën e bashkuar për të mundur kandidaten që ka vendosur në garë Partia Socialiste, Ogerta Manastirliu.
Bashkia e Tiranës pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme pas përfundimit të ankimimit në Kushtetuese të vendimit të shkarkimit të Erion Veliajt, i cili ndodhet nën akuzë nga SPAK.
Partia Demokratike ka ngritur grup pune për përzgjedhjen e kandidatit të opozitës për kryeqytetin, pasi kreu i saj Berisha deklaroi se do hyjë në negociata me aleatët për një kandidat të përbashkët. /j.p/