E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet godina pa leje në Vlorë, objekti në zonën e Jonufrës ishte përjashtuar nga legalizimi

Një tjetër objekt pa leje u shemb këtë të premte në Vlorë. Forcat e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ndërhynë në zonën e Jonufrës, duke prishur një godinë një-katëshe, që ishte njësi shërbimi.

Kjo godinë ishte skualifikuar më herët nga Drejtoria e Legalizimeve, ndërsa në momentin e ndërhyrjes, nuk pati përplasje mes pronarit dhe punonjësve të IKMT.

Ky është objekti i dytë që prishet pas vendimeve të fundit për skualifikim nga procesi i legalizimit.

Sipas IKMT, shumë ndërtime në zonë janë ngritur pa leje dhe kanë pritur të përfitojnë përmes legalizimeve, por tashmë janë të destinuara për t’u shembur.

Aksioni i IKMT pritet të vijojë në vijën bregdetare, ku janë evidentuar edhe objekte të tjera të paligjshme që do të trajtohen sipas ligjit.

Një ditë më parë, iu vendos shirit i sigurisë edhe një godine në zonën e Ujit të Ftohtë, e cila pritet të shembet.

Ndërsa mëngjesin e 11 gushtit u hodh në erë me shpërthim të kontrolluar një godinë 3-katëshe në Radhimë./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›