Shembja e ndërtimeve të paligjshme në Theth, Rama: Kush ndërton pa leje, investon për belanë e vet

TIRANË, 4 tetor/ATSH/ Në Parkun Kombëtar të Thethit po vijon ndërhyrja për prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe rikthimin e kësaj zone të mbrojtur në gjendjen e saj natyrore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga shembja me shpërthim të kontrolluar të një godine, ndërsa ritheksoi vendosmërinë e qeverisë kundër ndërtimeve pa leje.
“Kush ndërton më pa leje, investon vetëm për belanë e vet. Theth përsëri dhe kudo përsëri e përsëri, deri në fund, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, u shpreh Rama, krahas pamjeve.
Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) rinisi sot prishjen e ndërtimeve pa leje në Parkun Kombëtar të Thethit, ku ishin evidentuar 13 objekte me konstruksione betonarme dhe dru.
Në fazën e parë të aksionit, në Theth u shembën rreth 100 objekte.
Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme vijon në të gjithë vendin.
Ky operacion i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.
Ditën e djeshme kryeministri Rama publikoi edhe masat e reja ligjore që synojnë forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit si edhe ndëshkimin e ndërtimtarisë së paligjshme.
/m.m/r.e/