E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shembje e strukturave pa leje në Shkodër e Vlorë, Rama: Ndërhyjmë kudo ku duhen çliruar hapësirat publike


TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme është shtrirë në gjithë territorin e vendit, si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë po vijon me shembjen e mureve dhe strukturave të betonit në territor, të cilat cenojnë hapësirën publike.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga ndërhyrjet që po kryhen nga Shkodra deri në Vlorë, ku aktualisht aksioni është përqendruar në shembjen e mureve rrethues pranë shkollave ose platformave të betonit të ngritura pa leje mbi trotuare dhe hapësira publike.

“Ecim, që nga Shkodra gjer në Vlorë, e kudo tjetër ku duhen çliruar hapësirat publike”, u shpreh Rama, duke iu referuar nismës kombëtare për lirimin e hapësirave publike, e cila ka nisur në muajin korrik 2025.

Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal, i cili është hedhur për diskutim publik, parashikohen ndëshkime më të ashpra.

Ndërkohë, një tjetër mekanizëm që do të jetë në funksion të subjekteve private do të jetë  Rregullorja e re Kombëtare, ku do të përcaktohen  me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.

Kryeministri Rama ka bërë të ditur më herët se “për çdo karrige të vendosur në hapësirën e kufizuar, subjekti duhet të kontribuojë me një pemë në Fondin e Gjelbër, që do të krijojë qeveria e re”.

Për këtë qëllim në dispozicion të qytetarëve të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë në dispozicion Portali “Hapësiraimepublike.gov.al”. Deri më sot në këtë portal janë raportuar 11 611 raste, nga të cilat janë zgjidhur 8 352 raste, ndërsa 3 259 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›