Spiropali: Shqipëria në OKB, me bilanc konkret kontributesh për avancimin e paqes

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ndodhet në Nju-Jork ku do të marrë pjesë në punimet e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Kryediplomatja shqiptare zhvilloi para sesionit edhe konsultime me ambasadorin e Shqipërisë në SHBA.
“Shqipëria sot ulet me një bilanc konkret kontributesh për avancimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit shumëpalësh, si një aktor konstruktiv, i besueshëm dhe i principtë”, vlerësoi Spiropali.
Sesioni i 80-të i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të hapet nën moton “Më mirë së bashku: 80 vjet e më shumë për paqen, zhvillimin dhe të drejtat e njeriut”. Kjo vë theksin tek bashkëpunimi global për paqe, zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejta njerëzore.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme do të jetë e pranishme në hapjen e debatit të përgjithshëm në Asamblenë e OKB-së, si dhe do të marrë pjesë në takimin vjetor të Platformës për Gratë Lidere të Asamblesë së OKB.
Shqipëria përfaqësohet në punimet e sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me një delegacion të nivelit të lartë të kryesuar nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.
1 nga 3/m.m/j.p/