Shëndetësia i kthehet normalitetit, PS kërkon që hetimin ta shtrijë nga viti 2009

Komisioni Hetimor i Shëndetësisë i është kthyer normalitetit. Mazhoranca është kthyer në tryezën e diskutimeve me opozitën dhe palët kanë rënë dakord për miratimin e planit hetimor, një plan i vetëm i dakordësuar.
PS kërkon shtrirjen e planit të hetimit për kontratën e shërbimit të sterilizimit prej vitit 2009.
“Ne vlerësojmë që njëra nga dy kontratat, pra ajo e ‘sterilizimit’, duhet të hetohet nga ky Komision, i gjithë konteksti i lidhjes së saj,” u shpreh zv.kryetari i Komisionit, Plarent Ndreca.
Deputeti Edmond Spaho u shpreh kundër një propozimi të tillë, duke e quajtur strategji për të vështirësuar punën e komisionit.
“Të bashkojmë dy gjëra që nuk bashkohen më duket strategji për ta shtyrë në kalendat greke punën e këtij Komisioni. Sa kohë që ka një vendim të Kuvendit, i cili përcakton qartë se janë këto dy kontrata me kufij kohorë, s’ka pse përzihemi me gjëra të tjera,” tha z. Spaho.
Kujtojmë se për çështjen e “sterilizimit” është hapur edhe një dosje në SPAK me 9 të pandehur, mes të cilëve edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/