E Diel, 1 Nëntor 2026

Shënojnë Tuci dhe Kulla/ Sulmuesi kuqezi realizon në kampionatin e Sllovenisë

Nuk shënon shpesh, por gjithsesi herë pas here duket.

Indrit Tuci pati një fundjavë të lumtur në Ligën e Parë të Sllovenisë, duke u kthyer te goli pas tri ndeshjeve, e duke I dhënë fitoren ekipit të tij.

Nuk ishte një duel dosido, por përballje direkte për kreun e tabelës, dhe skuadra e shqiptarit, Olimpija e Ljubljanës, fitoi 1-0 në fushën e Mariborit.

Sulmuesi 26-vjeçar realizoi shpejt në pjesën e dytë, në 55’, duke qenë vendimtar.

Për Tucin janë 4 rrjeta në sezon, dhe e rëndësishme është që ka rigjetur formën, me këto gola në 6 ndeshjet e fundit.

Olimpija arrin në 22 pikë pas 14 ndeshjeve, në vendin e tretë, pas Koperit me 25 që ka një ndeshje më pak dhe Mariborit që ka 24.

Sulmuesi deklaroi pas ndeshjes për Shport TV të Sllovenisë se është ndjenjë e veçantë kur shënon, aq më tepër kur ky gol sjell fitoren, ndërsa deshi të falenderonte shokët e ekipit që ishin në nivelin e duhur, nivel që duhet të vazhdojë!

Gol edhe në Itali, veçse në nivelin e kampionatit Shpresa.

Këtë e shënoi sulmuesi 18-vjeçar, Gabriel Kulla, në ndeshjen e humbur me shifrat 3-1 në fushën e moshatarëve të Lacios.

Deri tani, ai ka 6 rrjeta këtë sezon, ndërsa vjet arriti në 16.

Për fat të keq, Sasuolo U20 është poshtë në renditjen e Shpresave, dhe ka shënuar pak gola 16, nga të cilët 6 Kulla, sulmuesi i Shpresave që ka luajtur edhe për ekipin e të rriturve të klubit italian në Serinë A.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›